Flamurtari e Bylisi nuk kanë pasur mëshirë për kundërshtarët në ndeshjet e para të javës së 17-të të Superligës luajtur në orën 14:00. Të dyja skuadrat fituan nga 3-0, përkatësisht ndaj Shkumbinit dhe Kukësit, veçse vlonjatët ia dolën jashtë fushe, ndërsa mallakastriotët në Ballsh. Flamurtari realizoi shumë shpejt në Peqin, me autor goli Gjergji Muzakën. Në një fushë ku e ka pasur të vështirë për disa sezone radhazi, skuadra e trajnerit Ernest Gjoka, këtë herë nuk e vuri aspak në dyshim fitoren, e cila u sigurua në pjesën e dytë. Fillimisht ishte vetë Muzaka që shënoi golin e dytë, ndërsa vetëm pak minuta më pas, goli i tretë u realizua nga sulmuesi kryesor, Migen Memelli. Në ndeshjen tjetër luajtur në Ballsh, Bylisi kaloi çuditërisht me lehtësi Kukësin. Edhe këtu dy gola u shënuan nga i njëjti lojtar, afrikani Izuçuku, ndërsa goli i tretë nga vlonjati Fjodor Xhafa. Flamurtari arriti tani në kuotën e 30 pikëve, duke qenë serioz në pretendimet e tij për të zënë vendin e dytë. Sa për Bylisin, skuadra ballshiote ka në 22 pikë.
|