Përkohësisht në vendin e dytë. Gjysma e mbetur e kampionatit ka nisur në mënyrën më të mirë për Laçin. Skuadra e Nicës fitoi 2-1 në transfertën me Besën, të zhvilluar në fushën asnjëanëse të Peqinit. As fakti që luajtën për shumë minuta në inferioritet numerik nuk i ndali kurbinasit. Kapiteni Vucaj u largua nga loja pas një ndërhyrje pa top ndaj kundërshtarit. Gjesti i lojtarit të Kombëatres nuk është toleruar nga gjyqtari Sino dhe menjëherë më pas Besa konkretizoi epërsinë. Sefa në të 37-ën kaloi kavajasit në avantazh, duke dërguar me kokë në rrjetë një top të harkuar nga e djathta. Laçi nuk është dorëzuar. Përkundrazi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë gjen barazimin me Emiljano Çelën. Sapo ka nisur fraksioni i dytë i ndeshjes, miqtë kaluan në avantazh. Kjo falë një 11-metërshi të dyshimtë të Abraham ndaj Emurllait. Zefi nuk gabon nga pika e bardhë. Në minutat e mbetura, Besa provon në të gjitha mënyrat, duke shpërdoruar edhe disa raste të mira, ku vendimtar ishte portieri Bakaj. Me fitoren e arritur, Laçi ngjitet në kuotën e 24 pikëve dhe për momentin është ndjekësi më i afërt i Skënderbeut në Superligë.
|