Skenderbeu/ Tronditje, pezullohet trajneri Josa, shkarkohen drejtuesit | ||||
|
Nuk qenka e thënë që Krishtlindjet dhe festa e fundit të vitit të kalonte qetë-qetë në Korçë. Një goditje e rëndë, më e acartë sesa i ftohti i dimrit, ka goditur skuadrën e futbollit. Trajneri Mirel Josa është pezulluar dhe zyrtarë të lartë janë shkarkuar pas një vendimi të presidentit Ardian Takaj. Shkaku? Deklaratat nëpër media për largim të disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, deklarata të cilat sipas Takajt kanë sjellë konfuzion dhe kanë shqetësuar e tronditur tifozët bardhekuq. Të shkarkuar janë zv. Presidenti Ardi Kollçaku dhe drejtori ekzekutiv, Thoma Grabocka. Dënimi më i lehtë, pohuar në linjë telefonike nga vetë Takaj, është ai i trajnerit, pasi pezullim do të thotë se Josa mund edhe të falet. E vërteta është se prej ditësh po flitet për largim të disa lojtarëve bazë të ekipit, si sulmuesit Pero Pejiç, sulmuesit Sebino Plaku apo mesfushorit Orelesi. Realiteti i deklaratave ka qenë që lojtarët edhe mund të largohen, sipas kushteve në kontrata, por gjithashtu është thënë se do të zëvendësohen me të tjerë, po aq të rëndësishëm. Vetë Josa, duke pohuar atë që ka ndodhur në Korçë, është shprehur në linjë telefonike se gjatë karrierës së tij është mësuar me çfarëdo lloj lojtarësh, edhe nga ata që nuk i ka përzgjedhur vetë. Skënderbeu kryeson Superligën me 10 pikë para vendit të dytë në përfundim të fazës së parë, ndërsa është thuajse i kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kupës. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3716 |