“Topi i Artë” i FIFA-s nuk është dorëzuar ende, por Shqipëria e ka shpallur fituesin për të sajin në mbrëmjen festive të fundvitit në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Ky është një durrsak, gardian i portës dhe që luan me Skënderbeun. Pikërisht Orges Shehi. Numri 1 i kampionëve la prapa dy sulmuesit e ekipit të tij, Sebino Plakun dhe Pero Pejiçin. Për këtë “Top të Artë” votuan 14 trajnerët dhe 14 kapitenët e ekipeve të Superligës. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vlerësoi vitin 2012 si pozitiv. Federata Shqiptare shfrytëzoi festën për të dhënë edhe disa vlerësime për karrierën. Loro Boriçi, ish-lojtar dhe ish-trajner i paharruar, u vlerësua me “Nderin e Futbollit Shqiptar”. Tri figura si Skënder Halili, Qemal Vogli dhe Skënder Hyka morën vlerësimin “Legjenda të Futbollit”, dy të parët pas vdekjes. Me “Pllakatë Mirënjohjeje” u vlerësuan Sami Shefa e Aurel Vërria pas vdekjes si dhe Osman Reçi, Jani Kaçi dhe Skënder Ibrahimi.
|