Vetëm dy muaj punë. Mori drejtimin e një skuadre që nuk e ndërtoi vetë dhe shkarkohet nga detyra për rezultate të dobta. Në këtë aventurë të shkurtër Hulian Rubio la gjurmë në Vlorë vetëm për rrogën 13 mijë euro në muaj që përfitonte. Ai ishte trajneri më i paguar në futbollin shqiptar, por rezultatet nuk e justifikuan investimin. Rrugët e Flamurtarit dhe spanjollit janë ndarë zyrtarisht. Fatale për fatet e drejtuesit të stolit rezultoi humbja në ndeshjen e parë në grupet çerekfinale të Kupës, me Bylisin. Pas zhgënjimit në Superligë, kuqezinjtë kanë kompromentuar ecurinë e tyre edhe në trofeun e vetëm ku synojnë të fitojnë. Mallakastriotët janë “macja e zezë” e trajnerëve të Flamurtarit, pasi 3 muaj më parë rezultati me këtë kundërshtar i kushtoi vendin edhe Shkëlqim Muçës. Rubio largohet pa asnjë falënderim, vetëm me një deklaratë për shtyp, ku theksohej se nuk u arritën objektivat e përcaktuara nga trajneri. Drejtuesit e klubit do të zhvillojë një analizë, ku nuk përjashtohen masat edhe ndaj disa lojtarëve, madje priten largime nga skuadra.
|