Ka mjaftuar një gol në pjesën e dytë që Bylis të fitonte një ndeshje prestigji ndaj Tiranës dhe të ngjitej shumë lart në tabelë. Bakiu realizoi kur thuajse ishte luajtur një orë lojë duke i dhënë 3 pikë skuadrës ballshiote që tani është vetëm 1 pikë prapa bardhebluve. Në dy takimet e tjerë të orës 14:00, Kukësi fitoi 3-1 ndaj Kastriotit dhe tani është i dyti, ndërsa Tomori e Shkumbini e mbyllën pa gola përballjen mes tyre. Në Ballsh, futbolli tregoi edhe një herë se është mizor, pasi miqtë nga Tirana patën rastet më të mirë në pjesën e parë dhe mund të kishin kaluar disa herë në epërsi, por sulmuesi kryesor, Çota, gaboi në mënyrë flagrante. Në pjesën e dytë, vendasit luftuan më shumë dhe kaluan në epërsi me anë të Bakiut, ndërsa në minutat në vazhdim Tirana iu afrua barazimit. Nga ana tjetër, Bylis mund të kishte shënuar golin e dytë, por topi i gjuajtur nga Meto u ndal nga shtylla. Në Kukës, të parët në avantazh kaluan miqtë nga Kruja me golin e Dajës, por më pas vendasit shënuan radhazi me anë të Prognit, Popoviçit dhe Allmuçës. Në renditje, Skënderbeu kryeson me 27 pikë, Kukësi ka 21, Teuta 20 e Tirana 19. Ndërkaq, Bylis është ngjitur në kuotën e 18 pikëve.
|