Renditja nuk është krejtësisht për t’u hedhur poshtë, por për dy skuadra që duan titull dhe trofe, gjithçka duket e dështuar. Vllaznia e Tirana ndeshen sot në Shkodër, në kuadër të javës së 10-të të Superligës dhe sidomos gjendja e bardhebluve është më e rënda. Jashtë kupës, ashtu si edhe Vllaznia, 8 pikë larg Skënderbeut të vendit të parë, me 4 ndryshime trajnerësh dhe me një kurbë në rënie të theksuar. Ky është skaneri për 24 herë kampionët që, për më tepër, e luajnë jashtë fushe derbin e Shqipërisë duke pasur edhe shumë mungesa. Dushku e Ahmataj nuk janë për mbrojtjen, ndërsa Sina është me probleme fizike dhe jo në formë. Vllaznia mikpritëse gjithashtu duket e tronditur dhe për trajnerin Duro kjo mund të jetë një ndeshje me rëndësi për fatin e tij. Gjithsesi, kuqeblutë janë baraz me vendin e dytë, pasi Besa, Kukësi e Vllaznia kanë nga 15 pikë. Edhe Duro ka shqetësime pasi sulmuesi i rëndësishëm rumun Dragoi është mungesë thuajse e sigurt, ndërsa Ndriçim Shtupina gjithashtu ka probleme fizike dhe mbetet në dyshim. Kuqeblutë kanë 11 vjet që nuk fitojnë titullin, diçka që Tirana e ka bërë në vitin 2009. Ishte pikërisht ai sezon, 2008-2009 kur dy ekipet pretenduan së bashku për trofeun më të madh kombëtar dhe gjithçka u vendos në favor të Tiranës në ndeshjen e fundit në “Qemal Stafa”, fituar 2-1. Këtë herë, “Loro Boriçi” nuk do ta ketë këtë fat.
|