Play-out/ Apolonia-Lushnja 3-0, Super Ribaj, mban firaket ne Superiore | ||||
|
Apolonia ka mundur me rezultatin 3-0 në derbin e Myzeqesë, Lushnjën, duke vijuar të qëndrojë në Superiore, mes ekipeve më të mira të vendit. Një sukses i merituar i frierakëve, që konsumuan një kampionat tejet problematik,, por në ditën e së vërtetës, ndaj Lushnjës, në ndeshjen përcaktuese të fatit të saj, Apolonia ka treguar veten. Eshtë shfaqur më pragmatiste dhe e qartë taktikisht, ka shënuar tri herë në portën e Bejtes, me anë të sulmuesit Ribaj, dy herë, dhe të kapitenit Gërxho, një herë, duke shuar cdo lloj shprese dhe iluzioni të lagunarëve për të qenë ata në Superiore. Një pjesë e parë e kontrolluar më shumë nga formacioni Sajmir Malkos, që ka prodhuar disa raste tepër të volitshme për shënim, por dyshja Sefa-Canka nuk ia kanë dalë dot përballë Mockës,një pengesë e pakalueshme për lushnjarët. Duhet thënë se portieri vlonjat i Apolonisë dhe sulmuesi Ribaj, autori i një dopiete, kanë qenë lojtarët më të mirë të kësaj sfide. Dhe kur nuk shënon, do ta pësosh. Një ligj i pashkruar në futboll, por që bëhet realitet sa e sa herë, ashtu sikurse ndodhi edhe në “Niko Dovana”, ku u luajt kjo ndeshje “play-out”-i. Minuta e 28-të sjell edhe golin e parë të ndeshjes, teksa Ribaj merr një pasim të gjatë nga mbrojtja e tij dhe vidhet prapavijës lushnjare, që e pandeh në pozicion jashtë loje, vihet përballë Bejtes dhe shënon. Apolonia e shikon veten në epërsi, moment i cili shënon edhe kthesën e madhe për fierakët, që rriten moralisht dhe kolaudohen taktikisht, duke e kaluar makthin e ngarkesën psikologjike te lushnjarët. Këta të fundit përpiqen të reagojnë, godasin shumë shpejt edhe tranversën e Mockës me Sefën, një minutë pas pësimit të golit, fitojnë edhe penallti nga Canka, por shpërdorohet edhe kjo mundësi e artë nga Cela. Nga pika e bardhë, kapiteni i Lushnjës godet sërish traun e portës së Mockës, duke mos e dërguar topin në rrjetë dhe barazuar rezultatin. Nga këtu bëhet me krahë Apolonia, që vijon të dalë bukur në kundërsulm, me anë të Ribajt, i cili sjell pështjellim të madh në mbrojtjen lushnjare. Me epërsinë minimale mbyllet pjesa e parë, e cila ia lë vendin fraksionit të dytë, që është po ashtu shumë e qartë taktikisht për fierakët. Duke e pritur Lushnjën në gjysmëfushën e vet, skuadra e Apolonisë aplikon me shumë efikasitet kundërsulmin. Duke e zënë kundërshtarin në befasi dhe të zhbilancuar në mbrojtje, sepse kërkon medoemos golin e barazimit, por, duke qenë e paorganizuar si duhet, duke shfaqur edhe shenjat e para të lodhjes fizike, Lushnja ndëshkohet sërish nga Ribaj. Një gafë e portierit Bejte, që në tentativë për ta larguar topin nga zona e tij e përplas në trupin e Ribajt, bën që ky i fundit të mos e ketë të vështirë ta shtyjë në rrjetë. Tashmë Apolonia e sheh veten në avantazh të dyfishtë, cka dëshmon se është më superiore dhe do të mbetet në Kategorinë Superiore. Malko bën lëvizjet në formacionin e tij, tri zëvendësime, duke futur elementë sulmues në fushë, por golin nuk e gjen dot. Eshtë Apolonia, që do të shënojë për herë të tretë, me anë të kapitenit Gërxho, duke vulosur gjithcka dhe fundosur përfundimisht shpresat e lushnjarëve. Që mbeten në Kategorinë e Parë, pavarësisht se kanë zhvilluar një kampionat shumë të bukur, por kanë gabuar në fund, në ndeshjen ndaj Kukësit në shtëpi, kur u duhej fitorja me tre gola pët t’u ngjitur ditrekt në elitë, dhe në sfidën e “play-out”-it, ndaj Apolonisë. Apolonia-Lushnja 3-0 Golat: Ribaj 28’, 70’, Gërxho 86’ Apolonia: Mocka, Nako, Llënga, Ndoni, Salievski (Naci 58′), Cimili, Adevale, Mucaj, Alo, Gërxho, Ribaj Trajner: Dh.Papuciu Lushnja: Bejte, Sula, E.Xhafa, Bufasi, Hasalla, Cela (Përnezha 59′), Topi (Metushi 72′), Gjoni (Byzhyti 65′),R.Sula, Canka, Sefa Trajner: S.Malko Kartonë të verdhë: Mocka / R.Sulo, Bufasi Gjyqtarë: L.Jemini, R.Cokaj, E.Barushi K.F Apolonia Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3687 |