Titulli kampion për të dytin vit radhazi dhe për të tretën herë në histori, e ka kthyer Korçën në epiqendrën e festës gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut. Në një koncert festiv në stadiumin “Skënderbeu”, presidenti i FSHF-së Armand Duka ka dhënë edhe medaljet për lojtarët kampionë të Kategorisë Superiore, si dhe trofeun e kampionatit të fituar vetëm në javën e fundit.
Më shumë se 10 mijë tifozë ishin të pranishëm brenda dhe jashtë impiantit jug-lindor të veshur me ngjyrat tradicionale të Skënderbeut, në një ceremoni që për nga mënyra e organizimit ishte perfekte. Festa e titullit kampion ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, ku protagonistët e titullit kanë dalë edhe në qytet për të shfaqur me krenari trofeun.
Testi i radhës për Skënderbeun është më 17 Maj në stadiumin “Qemal Stafa” në finalen e kupës ndaj Tiranës dhe më pas pushimet e shkurtra do t’i lënë vend, aventurës në Ligën e Kampioneve.
 |