Ne fokus/ Suedi, plaçkitet stadiumi i “Kosovës” |
nga AlbaniaSoccer E enjte, 29 Nentor 2012 10:13 |  |  |  | |
Kaosi mbizotëroi në Stokholm në stadiumin “Rasunda”, ndërsa tifozëve iu dha mundësia që të merrnin gjithçka që mundeshin nga impianti i cili ka mbyllur përfundimisht dyert dhe do të shkatërrohet.
Rreth 5 mijë persona, të armatosur me kaçavida, trapano dhe mjete të tjera u paraqitën në stadiumin e vjetër, ku është luajtur finalja e Botërorit 1958 ku Brazili fitoi 5-2 me Suedinë. Për herë të fundit, përfaqësuesja suedeze ka luajtur në këtë impiant në gusht të këtij viti, duke u mposhtur 3-0 nga Brazili.
Mes pjesëve që u morrën nga stadiumi ishin ulesët, gardhet rethuese, shtyllat e portave dhe copa nga fusha. Ky është fundi i stadiumi legjendar, i cili është hapur në vitin 1937 dhe ka qenë shtëpia e Kombëtares suedeze dhe klubit të Stokholmit, AIK.
Vetëm pak kohë më parë, më saktësisht në muajin qershor, trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki kishte bërë të ditur se pjesët e impiantit i ishin premtuar si dhuratë Kosovës, në mënyrë që të ndihmohej infrastruktura e futbollit në këtë vend.
Objektivi ishte që me pjesët e stadiumit të ndërtohej në Kosovë një impiant i cili do të licensohej nga FIFA për zhvillimin e miqësoreve ndërkombëtare.
Pas “plaçkitjes” nga ana e tifozëve, ende nuk dihet nëse pjesët e stadiumit “Rasunda”, të paktën ato që kanë mbijetuar, do të dhurohen sipas premtimit të mëparshëm.
 |