Kritikat nuk e kanë demoralizuar. Në këtë fill të sezonit, Samir Ujkani nuk është paraqitur në formën më të mirë te Palermo, por edhe në Kombëtaren shqiptare. Megjithatë, “gardiani” vazhdon në rrugën e tij dhe shfaqet optimist.
“Momentalisht nuk po kalojmë një moment të mirë, jemi në vështirësi. Megjithatë, po punojmë mirë dhe shpresoj se do të dalim nga kjo situatë”, tha portieri në konferencën për shtyp.
Ujkani theksoi se forma e tij po vjen në rritje pas çdo ndeshje që kalon dhe se ndjen besimin e skuadrës dhe të trajnerit, pavarësisht kritikave nga opinioni sportiv dhe të një pjese të tifozerisë siçiliane.
Gjatë fundjavës, Palermon e pret ndeshja me Sampdorian. Një duel direkt për mbijetesë mes dy skuadrave që po vuajnë në këtë sezon. Portieri 24-vjeçar i bën thirrje skuadrës së tij për fitore.
“Nuk duhet të mendojmë nëse kjo është një sfidë për mbijetesë apo për diçka tjetër. Duhet të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët që për ne janë shumë të rëndësishme. Mund t’ia dalim nëse luajmë ashtu si dimë”, tha ai.
Në fund, Ujkani nuk u shpreh aspak i shqetësuar për vendin e parafundit të skuadrës në klasifikimin e Serisë A. sipas tij, “humbjet e rënda dhe momenti i vështirë, do ta motivojnë më tepër skuadrën”, ndërsa nuk mungon besimi se Palermo mund të zhvillojë një sezon mjaft të mirë.
|