Blerim Xhemajli e ka lënë prapa krahëve humbjen nga Juventusi në Superkupën e Italisë. Mesfushori shqiptar po shikon përpara, duke menduar qysh në ndeshjen e parë të sezonit të ri, ndaj Palermos.
Napoli e mposhti Olympiakosin të dielën ne mbremje me rezultatin 3-0, ndërsa përfaqësuesi zviceran u nda i kënaqur me atë që pa në fushë nga ekipi italian. “Jam i kënaqur, mbi të gjitha sepse forma jonë fizike ka filluar të rritet. Kemi arritur një tjetër rezultat pozitiv dhe bëmë lojë të mirë. Kjo është mënyrë më e mirë për ta filluar sezonin”, deklaroi fillimisht Xhemajli për napolisoccer.net.
“Hidhërimi për Superkupën e Italisë ka kaluar. Tash shikojmë përpara, në ndeshje me Palermon. Unë personalisht ndihem mirë dhe shpresoj të jem në fushë të dielën. Mirëpo, nuk është shumë e rëndësishme se kush luan më shumë e kush më pak. E rëndësishme është që të punojmë për skuadrën dhe të arrijmë suksese”, vazhdoi Xhemajli, i cili ndaj ekipit grek u fut në pjesën e dytë në vend të bashkëkombësit të tij, Valon Behrami.
 |