Europa League/ Federata Norvegjeze : Tirana trukoi ndeshjen me Alesundin | ||||
|
Federata Norvegjeze ka bërë të ditur se do t’i drejtohet UEFA-s për dyshime të forta, në lidhje me ndeshjen e kupës Europa League mes Alesundit dhe Tiranës. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në Norvegji, Tirana dyshohet se e ka humbur me qëllim ndeshjen me rezultatin 0-5, ndërkohë që kompania kombëtare e lotarive “Norsk Tiping” ka sinjalizuar Federatën për baste të dyshimta për këtë takim, në mënyrë të veçantë në Azi, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjesh. Zëdhënësi i “Norsk Tiping”, Einar Busterudi ka bërë të ditur për “AFP”-në se, me kalimin e minutave, u rritën shumë bastet që kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 5-0. Sipas Federatës Norvegjeze, por edhe kompanisë së lotarisë kombëtare “Norsk Tiping”, që organizon vetë baste të tilla, Alesundi nuk është i dyshuar për ndikim në këtë rezultat, por gishti i nordikëve drejtohet vetëm ndaj Tiranës dhe futbollistëve të saj. Ndërkohë që drejtuesit e Tiranës kanë hedhur poshtë dyshimet për një trukim të mundshëm. Sipas agjencisë së njohur franceze të lajmeve, AFP, administratori i bardhebluve Salih Tagani, në lidhje me atë humbje të turpshme, ka bërë të ditur se faktorë kanë qenë fusha artificiale, mungesa e ushqimit apo minibaret e zbrazura në hotel, ku skuadra qëndroi gjatë akomodimit para sfidës në Norvegji. Tashmë është vënë në dijeni edhe UEFA, e cila me shumë mundësi do të hapë një hetim për këtë çështje, por ndërsa Federata Norvegjeze dhe kompania kombëtare e basteve “Norsk Tiping” mendojnë të hedhin dyshime të tilla, nuk janë dakord me këtë fakt drejtuesit e klubit norvegjez, Alesund. Trajneri Rekdal ka theksuar se është shumë e lehtë të hedhësh dyshime për shumë ndeshje, por mendoj se duhet të ketë fakte për të pretenduar se kjo ndeshje ishte e trukuar. Të dhënat e deri tanishme tregojnë se mund të jetë një çështje spekulative. Rekdal është shfaqur i shokuar në momentin që ka dëgjuar për mundësinë e trukimit të Alesund-Tirana 5-0. “Unë nuk e di se çfarë duhet të kishte ndodhur, por di vetëm që fitorja e Alesundit në shtëpi ndaj Tiranës nuk duhet të jetë e papritur për askënd. Nuk duhet të tregohemi histerikë dhe të dyshojmë sa herë që ka një fitore të thellë”, tha ai. “Por të shikoni mënyrën se si u shënuan golat tanë, nuk do të vëreni se erdhën si rezultat i lojës sonë, dhe për mua nuk është rastësi fitorja 5-0”, thotë trajneri i Alesundit. Rekdal thekson se nuk ka parë asgjë të pazakontë, që të mund ta bëjë të besojë se Tirana të jetë e përfshirë në trukim: “Ata kishin shanset e tyre. Luajtën me kundërsulm në kërkim të shënimit të golit, një taktikë e zakonshme kur luan larg shtëpisë” përfundoi ai. Po aq i habitur u shfaq edhe drejtori teknik Henrik Hoff, i cili mohoi edhe përfshirjen e mundshme të Tiranës. Rreth një muaj më parë, disa klube të kategorisë së dytë dhe të tretë në Norvegji janë dyshuar për fiksime rezultatesh, ndërkohë që ka pasur edhe të arrestuar. Gjithsesi, ky është një dyshim i parë për atë çka ndodhi me ndeshjen Alesund-Tirana 5-0, ku në vendin tonë u konsiderua një humbje e turpshme e asnjë organ nuk shkoi më tej, ndërkohë që Federata Norvegjeze ka vendosur t’i drejtohet UEFA-s, me faktet që kanë sinjalizuar këto dyshime. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2841 |