Tirana do të zbresë sot në fushën e lojës për ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Europa League përballë Alesundit. Sfida në Norvegji, e cila starton në orën 19:00 vlen për kalimin në turin e tretë, ndërsa bardheblutë do të kërkojnë të shkruajnë historinë, duke u kualifikuar për të parën herë kaq lart në kupat e Europës.
Megjithatë, misioni i 24-herë kampionëve të Shqipërisë nuk është aspak i lehtë. Kjo mbi të gjitha prej rezultatit të sfidës së parë në “Qemal Stafa”, që përfundoi në barazim 1-1 dhe që favorizon dukshëm nordikët.
Trajneri Hulian Rubio Sançez duket se ka zgjedhur të luajë me një sulmues të vetëm, ku Mirel Çota do të mbështetet nga Lika e Ferraj, me objektivin për të tentuar të godasin kundërshtarët me kundërsulme. Ndërkohë, skema pritet të jetë 4-1-4-1, me Muçolarin që do të mbështesë repartin difensiv të përbërë nga Sina, Pashaj, Dushku e Ahmataj.
Edhe pse i nevojitet me patjetër të paktën një gol, drejtuesi i stolit preferon lojën e sigurt, duke blinduar mbrojtjen dhe mesfushën. Por, duket tekniku Hulian Rubio po shqyrton të gjitha alternativat e mundshme, ndërsa në stërvitjet e fundit Tirana është praktikuar edhe për ekzekutimin e 11-metërshave. Skuadra që kualifikohet, në turin e tretë të Europa League do të luajë me fituesin e çiftit APOEL-Zenica.
Takimi do të gjykohet nga një treshe nga Irlanda e Veriut, me kryesor Arnold Hanter. Sipas basteve, Alesundi është dukshëm favorit, me fitoren e norvegjezëve që kuotohet me koeficientin 1.25. Në anën tjetër fitorja e Tiranës ka koeficientin 9, ndërsa barazimi 4.7.
Rezultatet më të mundshme janë fitoret 1-0 dhe 2-0 të Alesundit me koeficientin 6, barazimi 1-1 që do ta kalonte ndeshjen në kohën shtesë ka koeficientin 8, ndërsa fitorja minimale e Tiranës 1-0 kuotohet me koeficientin e lartë 20.
|