Jo vetëm një futbollist i talentuar, por edhe një personazh i përsosur për reklama. Ky është Xherdan Shaqiri, ylli më i ri i Bajernit të Mynihut, i cili ka një kontratë private me kompaninë e mirënjohur të pajisjeve sportive, “Nike”.
Në fillim të kësaj jave, Shaqiri, i njohur ndryshe edhe si “xhuxhi luftarak” u paraqit në stërvitjen e parë me bavarezët, ndërsa gjatë prezantimit ai mbante një palë këpucë “Nike Mercurial Vapor”. Të njëjtat që përdor edhe divi i futbollit botëror, Kristiano Ronaldo.
E ashtu si çdo yll i futbollit nderkombetar, që i personalizon këpucët e sportit me emrat e fëmijëve, familjarëve apo miqve, edhe ato që përdor Xherdan Shaqiri ngjasojnë me një vepër arti.
Detajet nuk kaluan pa u vënë re nga gazetarët e pranishëm në stërvitjen e Bajernit. Në fakt, në pjesën e brendshme të këpucës janë qëndisur tre flamuj: ai zviceran, vendit ngjyrat e të cilti Shaqiri përfaqëson, kosovar, sepse 20-vjeçari është i lindur në Gjilan dhe flamuri shqiptar, për të treguar prejardhjen e tij.
“50 për qind e zemrës sime i përket Kosovës”, ka thënë më parë Shaqiri. Më 11 shtator, Shqipëria do të zhvillojë në Zvicër ndeshjen e dytë kualifikuese të Botërorit 2014. Sipas gjasave ylli i Bajernit do të ketë këpucët me tre flamujt, të njëjtat që ka përdorur edhe në miqësoren e luajtur kundër Argjentinës së Lionel Mesit.
Por, Shaqiri është gjithashtu edhe një person familjar. Në pjesën e jashtme të këpucës së majtë ka kërkuar të qendiset emri i motrës së tij, Medina Shaqiri, ndërsa në anën e djathtë ka emrat e vëllezërve, Erdin dhe Arianit.
|