Sikur të mos mjaftonte lamtumira e jashtëzakonshme, me 49 mijë tifozë që e përshëndesnin dhe koreografinë gjigande ku shkruhej “Falemunderit Altin”, klubi I Hanoverit vazhdon të vlerësojë Altin Lalën. Për nder të ish-mesfushorit shqiptar, që në fundjavë i dha fund aventurës në klubin e Bundesligës pas 14 vitesh, drejtuesit e skuadrës kanë vendosur të tërheqin pa afat fanellën me numrin 8.
Kjo do të thotë që në vitet në vazhdim, asnjë lojtar që do të mbrojë ngjyrat e Hanoverit nuk do të ketë mundësi të luajë me numrin që Lala e ka mbajtur në shpinë për afro një dekadë e gjysmë. Fanella me emrin e shqiptarit në shpinë do të vendoset si monument në muzeun e futbollit të qytetit të Hanoverit.
Ish-kapiteni i Shqipërisë ka shkruar emrin me gërma të arta në historinë e skuadrës, ndërsa vlerësimi ka ardhur për gjithçka që Lala ka dhënë në fushën e lojës, por mbi të gjitha për besnikërinë ndaj ekipit, virtyt ky shumë i rrallë në futbollin modern.
Presidenti i Hanoverit, Martin Kind deklaroi se “lamtumira që klubi dhe tifozët organizuan për Lalën ishte më përallorja në historinë e futbollit gjerman. Altini i ka merituar të gjitha të mirat, pasi është futbollist dhe njeri i jashtëzakonshëm”.
Nga ana e tij, mesfushori kavajas deklaroi: “Ndihem krenar për tifozët dhe të gjithë qytetin. Zemra ime rreth vetëm për këtë skuadër dhe këta fansa”. Festa për Lalën vazhdoi me të gjithë skuadrën që veshi bluza me numrin 8, ndërsa lamtumira e “xhuxhit luftarak” bëri të shtyhej edhe konferenca për shtyp.
Ndërkohë, përveç tërheqjes së fanellës me numrin 8, skuadra e hanoverit I ka dhuruar Lalës edhe një mikrobuz, ku kishin pikturuar disa figura si edhe kishin vendosur autografet e tyre. 36-vjeçari Lala do të transferohet te skuadra e dytë e Bajernit të Mynihut, pasi ka firmosur kontratë 1-vjeçare me ekipin e kategorisë së katërt, ku stërviten dhe luajnë talentët e gjigandëve bavarezë.
|