Zvicer/ Barcelona cmendet pas binjakeve Ajeti | ||||
|
Barcelona është çmendur pas dy talentëve shqiptarë. Bëhet fjalë për binjakët Albian dhe Adonis Ajeti, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e gjigandëve spanjollë. Dy talentët 15-vjeçarë, të cilët janë edhe pjesë e përfaqësueses U-15 të Zvicrës aktivizohen te Bazeli, ndërsa Barça ka nisur bisedat me klubin që i ka zbuluar për ti bërë pjesë e “cantera”-s së famshme “blaugrana”. Përveç dy talentëve të vegjël, të cilët duket se kanë kaluar me sukses provën 3-ditore te klubi katalan, si pjesë e negociatave, në skuadrën spanjolle besohet se do të transferohet edhe vëllai i tyre më i madh, Arlind Ajeti, i cili është pjesë e përfaqësueses Shpresa të Zvicrës. Barcelona ngulmon për blerjen e vëllezërve kosovarë, por që kanë lindur në Zvicër, ndërsa Bazeli mendohet se do të bëjë rezistencë, pasi në politikën e klubit parashikohet që të mos shiten lojtarë në moshë kaq të vogël, pa i afirmuar ata më parë. Bazeli do të presë që futbollistët të arrijnë të paktën moshën 16-vjeç, për të lidhur me pa kontratë profesioniste dhe natyrisht që në rast se vendos ti shesë, të ketë përfitime edhe më të mëdha. Ndërkohë, përveç faktit që bëhet fjalë për një emër të madh të futbollit botëror, ku luajnë disa nga futbollistët më të mëdhenj në planet, Barça i ka ofruar edhe kushte mjaft të mira jo vetëm dy talentëve 15-vjeçarë, por edhe të gjithë familjes Ajeti, që në rast të gjetjes së akordit do të transferohej në Spanjë. Kjo nuk është hera e parë që një klub i madh europian interesohet për Albian dhe Adonis Ajetin. Në fakt, për lojtarët janë interesuar edhe gjigandët anglezë të Mançester Junajtid e Mançester Siti, Bajerni i Mynihut dhe Borusia Mynshengladbah në Gjermani, si edhe Vijareali në Spanjë. Së fundmi po përflitet edhe për vëzhgim nga tre skuadra elitare italiane, emrat e të cilave ende nuk dihen. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 16727 |