Ka mbërritur në Tiranë një akademi futbolli britanike, e cila do të zhvillojë për tre ditë radhazi duke filluar nga dita e premte një aktivitet për zbulimin e talenteve të futbollit në vendin tonë.
Kjo akademi me zbulues talentesh nga Totenhemi, Arsenali, Celsi, Uest Hemi e disa skuadrave të tjera londineze do të shohë mundësinë e rekrutimit të fëmijëve drejt Premier Ligës angleze.
Bailey Internacional Football Academy me qendrën në disa vende ka ndërmend të stacionohet edhe në Tiranë për t’i dhënë mundësinë fëmijëve shqiptarë të shprehin talentin e tyre.
Bëhet fjalë për disa grupmosha fëmijësh duke filluar nga ajo 8-vjeçare deri nën 20 vjeç. Ky është hapi i parë i ndërmarrë nga kjo akademi që sipas drejtuesve ka arritur të rekrutojë disa fëmijë drejt klubeve të mëdha anglezë si Celsi, Totenham dhe Kuins Park Rejnxhërs.
Nga dita e premte në orën 9-të mëngjesit deri ditën e dielë të gjithë pjesëtarët e akademisë, nga drejtuesit e deri tek trajnerët që do të bëjnë seleksionimin do të jenë në fushat e Ali Demit për të parë fëmijët shqiptarë.
|