Lorik Cana: E kam për detyrë të kontribuoj për ndërkombëtarizimin e sportit | ||||
|
Ylli i futbollit shqiptear, Lorik Cana, ka premtuar se do t’i ndihmoj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që sa më shpejt të pranohet në arenën ndërkombëtare. Ai këto komente i ka bërë të enjten gjatë një debati me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK). “Do të merrem më shumë me këtë fushë. E njoh presidentin e UEFA-s dhe të FIFA-s. Jam i gatshëm ta jap kontributin tim që futbolli i Kosovës të pranohet sa më shpejt në arenën ndërkombëtare. Jam i angazhuar në bisedimet në mes të FFK-s, të UEFA-s dhe të FIFA-s. Kjo është detyrë që më takon”, ka thënë Lorik Cana. Kapiteni i skuadrës angleze Sunderland ka thënë se ka shumë talentë në Kosovë. Sipas tij, kushtet janë të vështira në futbollin e Kosovës. “Në Kosovë çdo gjë është duke u rindërtuar. Kjo varet nga ne se sa shpejt do të arrijmë ta rindërtojmë dhe si do ta rindërtojmë. Kemi shumë talentë, por kushtet ekonomike dhe infrastruktura janë të dobëta”, ka shtuar Cana. Nuk e ndërroj kombëtaren shqiptare Mesfushori Lorik Cana, që ka zhvilluar dyzet paraqitje me fanellën e kombëtares së Shqipërisë, duke u përgjigjur në pyetjen se për cilin vend do të luajë në të ardhmen, ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend ta ndërrojë kombëtaren shqiptare. Sipas tij, nuk kemi potencial të kemi dy kombëtare. “Prej se jemi bërë shtet po bëhet shpesh pyetja se cilin vend do ta përfaqësojmë. Sporti sigurisht është një ambasador i jashtëzakonshëm i një vendi. Për mendimin tim, nuk kemi aq shumë kualitet për t’i pasur dy kombëtare, por edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, nuk do ta kisha ndërruar kombëtaren shqiptare. Ne të gjithë jemi shqiptarë dhe jemi një komb”, është përgjigjur futbollisti “kuqezi”. Kapiten i Shqipërisë brenda 2010-tes Mesfushori me prejardhje nga Gjakova ka bërë me dije se brenda këtij viti do të bëhet zyrtarisht kapiten i kombëtares shqiptare. Ai ka premtuar se do të punojë që sa më shumë kosovarë t’i mbrojnë ngjyrat “kuqezi”. “Shumë njerëz flasin se në kombëtare po kujdesën për ta ruajtur numrin e kosovarëve për të mos u shtuar më shumë. Të jam i sinqertë, nga niveli i kualitetit të futbollistëve që luajnë jashtë mund të themi se 80 për qind e kombëtares meriton të jetë me kosovarë. Unë vetë nuk do të lejoj që të kufizohet numri i kosovarëve, sepse brenda këtij viti bëhem kapiten zyrtar i kombëtares dhe patjetër do të marrë një peshë më të madhe”, ka shtuar ai. Në kontakt me Vengerin Lorik Cana në verën e kaluar iu bashkua skuadrës së Sanderlandit nga Olimpik Marseille. Cana, që ishte pjesë e futbollit francez për tetë vjet, ka shprehur besimin se shumë shpejt do të kalojë në njërën nga skuadrat me të forta angleze. Ai me këtë rast ka bërë të ditur se është në kontakte me menaxherin e Arsenalit, Arsen Wenger. “Kam kaluar tetë vjet në futbollin e Francës duke marrë pjesë në gara të ndryshime si Liga e Kampionëve. Qëllimi im ishte të afirmohem edhe në Premierë Ligë pasi është njëra nga ligat më të forta në botë. Vendosa t’i bashkohem Sanderlandit, pasi isha 26-vjeçar dhe kisha nevojë të fitoj përvojë në Premierë Ligë. Kisha mundësi të kaloj në një skuadër më të madhe, por me rëndësi për mua si futbollistë ishte të luaj deri në 30 ndeshje në kampionat dhe jo të qëndroj në bankën rezervë. Jam në kontakt me trajnerin e Arsenalit. Pas një viti mund t’i bashkohem njërës nga katër skuadrat më të mëdha angleze”, ka thënë Cana, duke treguar për përvojën e tij futbollistike. Student i Historisë Kapiteni i huaj, më i riu në histori të skuadrës së Sanderlandit, Lorik Cana, përveç suksesit në fushën e blertë, është regjistruar edhe në Fakultetin e Historisë në Tiranë. Canës i intereson shumë historia e popullit shqiptar. “Edhe unë jam student ashtu si ju. Pasioni im i dytë është historia. Jam regjistruar në Fakultetin e Historisë në Tiranë. Do të merrem me arkeologjinë e popullit shqiptar”, u ka treguar Cana studentëve të AUK-ut. Tifoz i Francës, e favorizon Brazilin Mesfushori 26-vjeçar ka thënë se është tifoz i Francës, kurse e ka bërë të ditur edhe emrin e skuadrës favorite për Kampionatin Botëror. “Sigurisht se të gjithë do të përcjellim Kampionatin Botëror. Unë jam tifoz i Francës, pasi në këtë vend kam ndërtuar një pjesë të jetës dhe kam shumë miq. Kombëtaret si Spanja dhe Brazili kanë kualitete më të mëdha, por Brazili është favorit”, ka shtuar ai. As me EULEX-in e as me Vetëvendosje!-n Yllit të Sanderlandit i është bërë edhe një pyetje shumë interesante, nëse EULEX-i dhe Vetëvendosja! do të ishin klube futbolli, për kë do të nënshkruante. Cana është përgjigjur shkurt: “Do ta lija futbollin”. Lorik Cana gjatë së enjtes është takuar edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiun. Veton Zymberi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2617 |