Një detyrë edhe më të rëndësishme sesa më parë ka këtë edicion Kupa e Shqipërisë. Kompeticioni numër 2 për nga rëndësia kombëtare duhet të mbulojë boshësinë e lënë nga formati i Superligës, ndërsa kampionati ka nisur gjumin dimëror që do të vazhdojë deri më 9 shkurt. Për këtë arsye, me nisje që sot, starton faza e dytë e grupeve në Kupë dhe kjo e shtunë sjell dy përballje. Në Grupin A, në orën 14:00 Shkumbini pret kampionët e Skënderbeut, një takim që të dyja skuadrat e kanë vlerësuar maksimalisht dhe do të luajnë me formacionet më të mira. Korçarët duan të fitojnë Kupën e parë në histori, një titull që mungon në kabinetin e trofeve, ku ndodhen tashmë 3 triumfe në kampionat. Tri orë më vonë, në 17:00, stadiumi “Flamurtari” do të ndezë dritat për t’i dhënë jetë ndeshjes së vendasve ndaj Bylisit, në Grupin B. Në dukje, takim modest, veçse realisht krejt ndryshe pasi mallakastriotët janë zgjuar dhe madje ndodhen më lart në renditje sesa vlonjatët. Më tej, e diela do të ketë në program Kukësin me Kastriotin dhe Laçin me Teutën. Në një kupë ku mungojnë gjigandë të tillë si Tirana e Vllaznia, por edhe Partizani e Tiranë, shpresohet që emocionet të mbeten të shumtë nga kontributi i skuadrave të tjera. Mungojnë jo pak, por 49 trofe. Ndoshta, në fund të sezonit, do të kemi një fitues të ri në këtë histori të vjetër.
|