Pas oshilacioneve dhe disa rezultateve zhgënjyese, Tirana konfirmon se është kthyer në formë të mirë. Bardheblutë e drejtuar nga Alban Tafaji i japin vazhdimësi ecurisë pozitive në kampionat, duke fituar edhe në ndeshjen e vlefshme për Kupën Pavarësia.
Kryeqytetasit janë ndeshur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me ekipin e Otrantos, të ardhur nga qyteti shqiptar i Ulqinit në Malin e Zi.
Kjo ishte përballja që hapi turneun e Kupës Pavarësia, që në këtë vit special të përvjetorit të 100 të pavarësisë së Shqipërisë, është organizuar me pjesëmarrjen e skuadrave nga të gjitha trevat shqiptare.
Tirana dominoi me lojë dhe në fund fitoi me rezultatin 4-0, ku spikati sulmuesi Arbër Abilaliaj, me tre gola të realizuar, nga të cilët njërin me 11-metërsh.
Goli që vulosi pokerin e 24-herë kampionëve të Shqipërisë u shënua nga Sina, kur kronometri tregonte 63 minuta lojë. Me këtë fitore, kryeqytetasit siguruan një vend në gjysmëfinale, ku katër skuadrat më të mira do të ndeshen në Vlorë më 27 nëntor.
Deri më tani të kualifikuara janë Flamurtari mikpritës, Shëkndija nga Tetova dhe Tirana. Në Kukës do të përcaktohet edhe ekipi i katërt, në sfidën ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës.
Ky është edicioni i pestë i “Kupës Pavarësia”, por prej festimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, këtë vit trofeu bëhet edhe më i rëndësishëm.
|