Përfaqësuesja U-19 e drejtuar nga Foto Strakosha ka njohur kundërshtarët e ndeshjeve kualifikuese të Europianit 2013-2014 të kësaj grupmoshe.
Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 6. Si kundërshtarë të “kuqezinjve të vegjël” janë Greqia, nënkampione e Europës në fuqi, Sllovakia dhe Bullgaria.
Goglat nuk janë treguar aspak bujare me Under-19, që gjithsesi tregoi kualitet në eliminatoret e këtij edicioni. Në turneun e zhvilluar në Vlorë dhe Fier, përballë kundërshtarëve si Italia apo Belgjika, Shqipëria dha sinjale pozitive në fushë.
Ndeshjet kualifikuese të edicionit 2013-2014 të Europianit do të zhvillohen në Bullgari nga 12 deri më 17 nëntor të vitit 2013.
Dy ekipet e para secilin nga 13 grupet dhe e treta më e mirë e aktivitetit do të kualifikohen për në raundin elitë. Më tej, aty do të përcaktohen shtatë skuadrat që do ti bashkohen Hungarisë në fazën finale.
 |