Josip Kuzhe : Zbori ishte mjaft i frytshem |
nga AlbaniaSoccer E hënë, 11 Janar 2010 15:27 |  |  |  | |
Trajneri Josip Kuzhe, zhvilloi të hënën në orën 11.00, në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit, një konferencë për shtyp. Tema e saj kishte lidhje me zborin stërvitor të skuadrës kombëtare në Antalia të Turqisë. Trajneri Kuzhe, e cilësoi zborin si mjaft të frytshëm. "Kushtet dhe i gjithë organizimi, ishin jashtëzakonisht të mira. Po kështu edhe atmosfera në skuadër. Patëm rast që të punonim me lojtarë të talentuar në kushte të shkëlqyera".Më pas, trajneri i përfaqësueses shqiptare foli konkretisht për disa elementë të spikatur, sidomos në lojën sulmuese të skuadrës. Sa i takon ndeshjeve të zhvilluara atje, trajneri Kuzhe u përgjigj se rezultati i tyre nuk kishte rëndësi për vetë qëllimin që kishte zbori. "Që ditën e parë kam diskutuar me lojtarët dhe jua a kam bërë të qartë se qëllimi i këtij zbori, është vëzhgimi dhe puna individuale me futbollistët. Ne nuk ishim skuadër. Kjo u vu re sidomos në pjesën e parë të ndeshjes me Adanaspor, ku lojtarët e kishin të vështirë të mirëkuptoheshin me njeri tjetrin. Megjithatë edhe në këtë aspekt, sidomos në ndeshjen e dytë, treguam shenja të mira".Në përfundim, trajneri deklaroi se eksperienca e Antalias ishte e frytshme dhe do t'i shërbejë mjaft në ardhmen futbollistëve kandidatë për ekipin kombëtar.
Media FSHF
 |