Në fokus/ Lamtumirë mes lotësh, nderohen Lala e Skela | ||||
|
Lot, emocione, ngjyra kuqezi, një pllakatë mirënjohjeje dhe shumë duartrokitje. Altin Lala dhe Ervin Skela përjetuan dje përpara ndeshjes ndaj Norvegjisë një prej momenteve më emocionuese gjatë jetës së tyre. Dy lojtarëve të Kombëtares iu organizua ceremonia e lamtumirës nga Përfaqësuesja kuqezi, të cilës i shërbyen për vite të tëra. Dy futbollistë që do të kujtohen gjatë dhe që kanë dhënë gjithçka për fanellën kuqezi gjatë dy dekadave të fundit. Altini dhe Ervini ishin tërhequr prej më shumë se një viti nga Kombëtarja, por FSHF-ja e organizoi dje ceremoninë e lamtumirës. Gjetje e duhur. Gjithçka u realizua në “Qemal Stafan” e veshur për festë para Norvegjisë. Disa minuta përpara fillimit të takimit, dy futbollistët shkelën ndoshta për herë të fundit në barin e stadiumit “Qemal Stafa” dhe presidenti i FSHFsë, Armand Duka, bashkë me homologun e tij norvegjez u dorëzuan atyre nga një pllakatë mirënjohjeje dhe një fanellë të Kombëtares. Nën ovacionet e publikut, futbollistët nuk i përmbajtën dot lotët, ndërkohë që nga mesi i fushës u ngritën në qiell tullumbacet kuq e zi që mbanin të lidhura banderolat e të dy lojtarëve. Altin Lala u bë pjesë e përfaqësueses në 1996-ën dhe ka luajtur deri një vit më parë. Është futbollisti që ka më shumë ndeshje me fanellën kuqezi, 79, ku ka shënuar tre gola. Shkatërrues dhe ndërtues njëkohësisht, Lala ka qenë një shtyllë kryesore për Kombëtaren në mesin e fushës. I lëvizshëm dhe një futbollist që jepte gjithçka në çdo ndeshje. Do të mbahet mend gjatë, në një kohë që aktualisht ende nuk është gjetur zëvendësuesi i tij në Përfaqësuese. Ervin Skela ka luajtur për 11 vjet me Shqipërinë, duke zhvilluar 75 ndeshje dhe realizuar 13 gola. Mesfushori u bë pjesë e Kombëtares në vitin 2000 dhe luajti gjer në 2011-ën. Teknik dhe shumë i saktë në pasime, vlonjati ka qenë fantazisti dhe organizatori më i mirë i Përfaqësueses gjatë dekadës së fundit. Jo vetëm që ka shënuar vetë, por nga pasimet e tij janë prodhuar shumë gola të rëndësishëm. Aktualisht, ende në ekip nuk ka një fantazist në lartësinë e Skelës. Skela ka provuar plot 13 ekipe gjatë karrierës së tij.
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5368 |