Krijimi i Ligës mbarëkombëtare vazhdon të mbetet një prej temave të ditës në Shqipëri dhe Kosovë. Pas propozimeve për një kampionat të përbashkët, tani vjen edhe një sugjerim për mënyrën si mund të realizohet bashkimi i futbollit në trojet shqiptare. Trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku propozon një projekt konkret, sipas të cilit kampionati gjithëshqiptar mund të zhvillohet gjatë dimrit. Sipas tij, turneu mund të organizohet nga data 28 nëntor deri më 17 shkurt. Bunjaku hedh idenë se liga mbarëkombëtare mund të ketë 8 deri në 12 skuadra pjesëmarrëse, ku do të marrin pjesë më të mirat nga kampionati shqiptar dhe ai kosovar. Ndërkohë, formati i aktivitetit parashikon ndarjen e ekipeve në dy grupe. Sipas drejtuesit të stolit të Kosovës, nga krijimi i ligës mbarëkombëtare dimërore do të përfitonin futbolli, tifozët, por edhe mediat. Bunjaku theksoi se financimi duhet të realizohet nga qeveritë e dy shteteve, ndërsa me kalimin e kohës të krijohen mundësitë që liga të zgjerohet, duke përfshirë edhe skuadra të tjera nga trojet shqiptare.
|