Hapja e merkatos sjell shanse të reja për futbollistët e Kombëtares shqiptare. Me afrimin e janarit, në mënyrë të paevitueshme po lakohen emrat e kuqezinjve. Mërgim Mavraj është shndërruar në një prej mbrojtësve më të kërkuar në Bundesligë. Kapiteni i Greuther Furth-it kërkohet nga Stuttgarti e Hoffenheim-i, që kërkojnë të përforcohen për pjesën e mbetur të kampionatit. Kuqeziu është në dilemë. Kalimi te një prej këtyre skuadrave do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierë. Por, në krahun tjetër, ai nuk dëshiron të braktisë ekipin e Greuther Furth-it që është në luftë të plotë për mbijetesë. Një tjetër lojtar shumë i kërkuar i Kombëtares shqiptare është portieri Etrit Berisha. 23-vjeçari do të largohet nga suedezët e Kalmar, ndërsa destinacioni është enigmë. Ofertat nuk mungojnë. Bologna në Serinë A, Eviani në Ligën e Parë franceze dhe Fulhami në Angli kanë nisur të lëvizin, ndërsa ka edhe skuadra të tjera që kanë zgjedhur të presin për të studiuar situatën. Në Itali, ndryshim fanelle mund të ketë për një veteran të Shqipërisë. Erjon Bogdani duket larg Sienës, skuadër në të cilën nuk po gjen hapësira. Për sulmuesin interesohet Pescara dhe kjo do të bënte që 35-vjeçari të mos largohet nga Seria A.
|