Disfata tronditëse me Islandën pritet të shoqërohet me ndryshime të shumta në formacionin e Kombëtares shqiptare, për ndeshjen e së martës me Slloveninë. Trajneri Gianni De Biasi mendohet se do të bëjë të paktën katër ndryshime në formacionin titular, një i detyruar për dëmtim dhe tre ndryshime për formën jo të kënaqshme të paraqitur nga lojtarët.
I dëmtuar është mesfushori Alban Meha, të cilin De Biasi e zëvendësoi pas 45-minutave lojë në ndeshjen e së premtes. Stafi teknik ka bërë të ditur se mesfushori ka qenë i dëmtuar, edhe pse vetë fantazisti i Paderbornit nuk e ka pritur mirë largimin nga fusha.
Meha mund ta nisë ndeshjen nga stoli, për tu aktivizuar nëse skuadra do të vuajë në organizimin e lojës kundër sllovenëve. Ndërkohë, ndryshimet mes titullarëve nisin nga porta. Samir Ujkani pritet të ulet në stol, për ti lënë vendin mes shtyllave Etrit Berishës. Golat e pësuar me Islandën kanë treguar momentin jo të mirë të portierit dhe tashmë porta do ti besohet “gardainit” të Kalmar-it.
Të paprekshëm nuk ka as në mbrojtje. Dallku, që për vite me radhë ka luajtur në krahun e djathtë do të zëvendësohet me Agollin, ndërsa aktivizimi i këtij të fundit në të majtën, do të sillte spostimin e Andi Lilës nga e djathta.
Ndryshime ka edhe në mesfushë. Përveç ndryshimit deri diku të detyrueshëm ndërmjet Meha-s dhe Roshit, mes titullarëve do të jetë edhe Emiliano Vila, që do të ulë në stol Gilman Likën.
Të pandryshuar në radhët e Shqipërisë mbetin vetëm repartet e qendrës në mbrojtje, me Canën dhe Dallkun të konfirmuar dhe të mesfushës, ku do të jenë Bulku me Kukelin. Ndërkohë, ndryshime pritet të mos ketë as në sulm, ku manovrat ofensive do t’i besohen sërish Armando Sadikut dhe Edgar Çanit.
|