Kombetarja/ Meha pasardhësi i Ervin Skelës |
nga AlbaniaSoccer E diel, 14 Tetor 2012 19:28 | | | | |
Dy asiste për gol në tri ndeshjet e para eliminatiore të Brazil 2014, por jo vetëm kaq. Alban Meha, i pajisur vetëm në fillim të shtatorit me pasaportë shqiptare i ka dhënë një tjetër fizionomi lojës sulmuese të Shqipërisë së De Biazit, aq sa besohet se është njeriu që i ka munguar kombëtares kuqezi pas tërheqjes nga futbolli të Ervin Skelës.
Goditjet stabdarde të ekzekutuara prej tij, nga këndi apo pas një faulli të fituar afër zonës kundërshtare, mund të përkthehen të gjitha në raste për gol për Shqipërinë, që ka sulmues të aftë për të ndëshkuar me goditjen në kokë, si Bogdani, Cani, por edhe Sadiku dhe Salihi.
Zëvendësimi i Mehas në fillim të pjesës së dytë me Islandën, për arsye dëmtimi, por ndoshta edhe për shkak të terrenit të rënduar, ia humbi fantazinë lojës sulmuese të kuqezinjve, por ajo që shqetëson më shumë në prag të takimit me Slloveninë është fakti që Alban Meha mund të moj jetë i gatshëm për De Biazin edhe ndaj ballkanasve.
Stafi mjekësor e kishte të vështirë të konfirmonte praninë e 26 vjeçarit në fushë, por nuk mund të thoshte me siguri që mesfushori i Paderbornit do të mungojë ndaj Sllovenisë, duke lënë gjithçka në dyshim.
Megjithatë tekniku Italian ka edhe një ditë kohë për të parë me shumë kujdes gjendjen e të gjithë lojtarëve dhe për të vendosur në fund mbi formacionin titullar. Një gjë është e qartë, pa Alban Mehën në fushë, Shqipëria humb shumë nga shkëlqimi i saj, sidomos rrezikshmërinë në zonën kundërshtare.
|