Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Gianni de Biasi, të shtunën, ka publikuar listën me emrat e 21-futbollistëve të ftuar për miqësoren me Moldavinë.
Ndeshja me Moldavinë zhvillohet të mërkurën në Tiranë, dhe është prova gjenerale para fillimit të eliminatoreve për botërorin e vitit 2014.
Italiani De Biassi ka ftuar pesë futbollistë nga Kosova, të gjithë të repartit defensiv. Për pozitën e titullarit në portë do të garojnë Samir Ujkani i Palermos e Etrit Berisha i Kalmarit të Suedisë. Ujkani në vitet e fundit ishte titullar në kombëtare, ndërsa Berisha është afruar vetëm disa muaj më parë. Ai debutoi në ndeshjen miqësore me Iranin të luajtur më 27-maj dhe la përshtypje të mirë.
Ndërkohë, në mbrojtje titullar pritet të jenë Lorik Cana (Lazio), Armend Dallku (Vorskla) e Mërgim Mavraj (Greuther Furth). Mavraj po ashtu ka debutuar në muajin maj. Ai luajti kundër Katarit e Iranit dhe menjëherë u stabilizua në rolin e mbrojtësit të qendrës në krah të kapitenit Cana. Dallku si zakonisht pritet të mbulojë krahun e djathtë të mbrojtjes. Eliminatoret për botërorin ‘Brazili 2014’, ‘kuqezinjtë’ i nisin më shtatë shtator në Tiranë me ndeshjen kundër Qipros. Katër ditë më vonë në Luzern, Shqipëria takohet me Zvicrën. Shqipëria bën pjesë në grupin E ku gjenden edhe Norvegjia, Sllovenia e Islanda. Kombëtarja është në pritje të kualifikimit të parë në një turne të madh.
 |