Duhej të ishte vetëm festë, por ndeshja mes Lushnjës dhe Partizanit, e fundit e sezonit, ka degjeneruar në konfrontime mes tifozërish. Tifozët e Partizanit, të shumtë në numër në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, duke festuar, kanë hedhur fishekzjarre në fushë dhe kjo i ka acaruar tifozët vendës, të cilët kanë sulmuar tifozët e kuq.
Është dashur ndërhyrja e forcave të rendit dhe thirrjet e drejtuesve të të dyja skuadrave dhe madje edhe futbollistët, që situata të mos përshkallëzohej. Për këtë arsye është ndërprerë për më shumë se 10 minutash, ose më saktë deri në përzënien e tifozerisë së Partizanit.
Pas qetësimit të gjakrave, ndeshja ka vijuar normalisht. Në fakt, nuk është se ka rëndësi shumë rezultati, pasi Lushnja është shpallur kampione dhe Partizani ka siguruar vendin e dytë, që do të thotë se të dyja skuadrat do të luajnë në Superligë sezonin e ardhshëm. Kishte ditë që deklarohej që të dy tifozëritë vetëm do të festonin dhe në fakt ashtu pritej, por hedhja e fishekzjarreve përpara kohe nga tifozët e Partizanit ka acaruar si duket tifozët vendës, që përveç festimit të titullit kampion në Kategorinë e Parë, festojnë edhe tapetin e ri të fushës, por edhe për golashënuesin më të mirë të kësaj kategorie, Cankën.
|