Donart Sahiti talenti qe premton shumë | ||||
|
Mesfushori Donart Sahiti është një nga futbollistët më premtues në futbollin e Kosovës. Edhe pse është vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, stili i lojës dhe sjelljet e tij në fushën e blertë të kujtojnë një profesionist të vërtetë. Lëvdatat e trajnerëve asnjëherë s’janë ndalur për gjimnazistin. Donarti ka filluar të merret me futboll në moshën 9-vjeçare në Klubin e Futbollit Prishtina, por tash ai është pjesë e juniorëve të Klubit të Futbollit Flamurtari. Pozita e preferuar e tij është ajo e mesfushorit të krahut. Sukseset e Donartit janë të mëdha si me klubin e Prishtinës po ashtu edhe me atë të Flamurtarit. “Jam shpallur kampion i Rajonit të Prishtinës dhe Kampion i Kosovës me KF Prishtina, kurse këtë vit jam shpallur kampion i rajonit të Prishtinës me Flamurtarin. Në ‘Turneun e Parë të Pavarësisë’ jam shpallur lojtari më i mirë, kurse Lojtar i Vitit 2009 në Rajonin e Prishtinës”, ka thënë Donarti. Synimet e djaloshit janë të mëdha. Ai synon që në të ardhmen të bëhet pjesë e rëndësishme e ndonjë skuadre të madhe evropiane. “Besoj se me punë do të arriti në karrierë. Ëndrra ime është të kaloj në ndonjë skuadër të madhe evropiane”, ka bërë të ditur Donarti. Ndërsa, përveç shkëlqimit në fushën e futbollit, ai shkëlqen edhe në shkollë, është nxënës i shkëlqyeshëm.
Veton Zymberi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4140 |