Prishtina të shtunën udhëton për në Zvicër | ||||
|
Kampionia në fuqi, Prishtina, të shtunën do të niset drejt Zvicrës, ku do të jetë pjesë e turneut ndërkombëtar në Winterthur. Kryeqytetasit janë shprehur të gatshëm për sfida e këtij turneu, të cilin “bardhekaltërit” e fituan një vjet më parë. “Po shkojmë sërish në Winterthur, jo vetëm si Prishtinë, por do ta prezantojmë futbollin e Kosovës atje”, ka thënë të enjten në takim me medie, i pari klubit Prishtina, Remi Ejupi. Sipas tij, Prishtina, synon që ta përsërit suksesin e vitin të kaluar. Ai beson se mund të arrihet vendi i parë në turneun e karakterit ndërkombëtar në Winterthur. “Synimi ynë është që të prezantojmë futbollin tonë në mënyrë më të mirë të mundshme. Besoj se do ta arrijmë suksesin e vitit të kaluar”, ka theksuar Ejupi. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se është anuluar takimi miqësor më skuadrën Schauffausen, për shkak të motit të keq që po mbretëron në Zvicër. “Takim miqësor i paraparë më skuadrën zvicerane, Schauffausen për shkak të motit të keq është anuluar, por besoj se ky takim pak kohë më vonë mund të realizohet, madje në Prishtinë”, ka pohuar Ejupi.
Rugova: Prishtina vazhdon më sfidat ndërkombëtar
Drejtori gjeneral i Prishtinës, Edmond Rugova, ka thënë se skuadra e Prishtinës, do të vazhdojë më takimet ndërkombëtare. Ai beson se skuadra e tij në tokën zvicerane do të arrij synimet e veta. “Të shtunën në orën 9:00, ekspedita jonë do të niset për në Zvicër. Të gjithë jemi të mobilizuar maksimalisht dhe se, jam i bindur se në Winterthur, do të mbrojmë kupën e fituar vitin e kaluar”, ka thënë Rugova.
Shengyli: Do ta prezantojmë futbollin tonë në mënyrë më të mirë
Optimist për paraqitje të mira në Winterthur, është shprehur edhe kryetrajneri i skuadrës se Prishtinës, Skënder Shengyli. Sipas tij, skuadra e është e përgatitur mjaft mirë në të gjitha aspektet. “Personalisht kam pak informacion rreth këtij turneu, për faktin se vitin e kaluar nuk kam qenë pjesë e atij turneu, por bazuar në paraqitjen e skuadrës gjatë vitit të kaluar mendoj se do ta përsërisim suksesin e arritur në turneun e kaluar”, ka thënë Shengyli, i cili ka shtuar se për shkak të lëndimit nuk do të mund të llogaris në shërbimet e Isuf Llumnicës. “E rëndësishme për ne mbetet që ta prezantojmë futbollin tonë në mënyrë më të mirë të mundshme. Besoj se futbollistët e mi do t’i tregojnë cilësitë që i posedojnë dhe se, ata kanë rast që nga ky turne të bien në sy të eksperteve ndërkombëtar”, ka theksuar Shengyli.
Ejupi kritikon mediet elektronike
Numri një i Prishtinës, Remzi Ejupi ka kritikuar mediet elektronike që sipas tij pak po i japin hapësirë sportit të Kosovës. “Gjatë 24 orëve disa nga mediet elektronike në Kosovë, vazhdimisht japin sport ndërkombëtar dhe se, farë pak merren më sport vendor, kjo po ndikon direkt në ngecjen e sportit tonë. Fëmijët tonë din gjithçka për futbollistët e huaj, e shumë pak din për sportin tonë. Kjo dukuri është pasoje e medieve elektronike që janë në Kosovë. Kërkojë nga këto medie që të kenë hapësirë më të madh për sportin tonë, konkretisht futbollin”, ka thënë Ejupi.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3327 |