Sokoli dhe Toverlani me te favorizuarit | ||||
|
Nga Fatmir Bytyçi Prishtinë, 28 dhjetor - Kapiteni i skuadrës kampione të sezonit vjeshtor, Trepçës, Elvis Osmani, ka thënë se strategut Bylbyl Sokolit duhet t’i takojë çmimi për trajner më të mirë të vitit 2009. Ndarja e laureatëve më të mirë për vitin që është në ikje do të mbahet më 6 janar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Sipas Osmanit, Sokoli meriton këtë çmim, për faktin se është një nga trajnerët që më së shumti ka arritur tituj në futbollin e Kosovës. “Mendoj se trajner i vitit do të shpallet Bylbyl Sokoli. Ai është trajner i mirë. Ka arritur t’i prekë të gjithë titujt në futbollin tonë”, ka thënë Osmani. “Asnjëherë s’kam punuar me Sokolin, por çdo skuadër të cilën e ka drejtuar ai, suksesi nuk ka munguar, prandaj meriton të jetë më i miri”.
Geci lavdëron Sokolin dhe Shoshin
Edhe homologu i Elvis Osmanit, Sami Geci, kapiten i skuadrës së Drenicës, ka lavdëruar punën që bën trajneri Sokoli. Ai ka thënë se Sokoli meriton çmimin trajner i vitit, por, sipas Gecit, në këtë vallë duhet të jetë edhe trajner i tij, Valdet Shoshi. “Bylbyl Sokoli është trajner profesionist. Ai e përgatit mjaft mirë ekipin në çdo pikëpamje dhe se, meriton të shpallet trajner i vitit 2009. Por në këtë vallë mendoj se duhet të jetë edhe trajneri Valdet Shoshi, i cili punon mjaft mirë”, ka thënë Geci.
Llumnica: Afrim Tovërlani trajner i vitit
Ndryshe, kapiteni i kampionës në fuqi, Prishtinës, Isuf Llumnica, ka thënë se ish-trajneri i kryeqytetasve, Afrim Tovërlani, duhet t’i takojë çmimi trajner i vitit. Sipas Llumnicës, Tovërlani ka pasur sukses të madh në dy vjetët e fundit me skuadrën e Prishtinës. “Mendoj se për sivjet epiteti i trajnerit më të mirë duhet t’i takoj Afrim Tovërlanit, i cili pati sukses të madh në këta dy vjetët e fundit me Prishtinën. Sigurisht ai është kampion aktual i Kosovës. Gjithsesi në këtë rast do ta veçoja edhe Bylbyl Sokolin, i cili për mua është trajner shumë i çmuar”, ka theksuar Llumnica. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3135 |