Afrim Tovërlani është emëruar trajner i kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Prishtinës. Vendimin për emërimin e Tovërlanit, e mori të mërkurën Bordi i Drejtorëve të klubit prishtinas. Tovërlani në postin e trajnerit të Prishtinës e zëvendëson Ejup Mehmetin që dha dorëheqjen të enjten e kaluar.
Për pak ditë, pas largimit të Mehmetit, skuadrën e udhëhoqi Ali Osmani. ‘Në mbledhjen e Bordit të drejtorëve në njërën prej pikave të diskutuara ka qenë zgjedhja e kryetrajnerit të FC Prishtina për vazhdim të sezonit 2012\\2013. Pas një debati të zhvilluar është propozuar dhe vendosur që Afrim Tovërlani të udhëheq ekipin si kryetrajner, që nga dita e nesërme.
Ky është vendim unanim i Bordit të Drejtorëve. Afrim Tovërlani është trajner i mirënjohur i cili edhe më herët ka kontribuar në udhëheqjen e FC Prishtina dhe të ekipeve të tjera kosovare. Ai do ta udhëheqë klubin drejt sukseseve të reja’, thuhet në njoftimin e drejtorit menaxhues të klubit Prishtina, Sokol Krasniqi.
|