Uliks Emra : Ndërrimi i trajnerëve është kundërshtari ynë | ||||
|
“Mendoj se tash në skuadër është krijuar një stabilitet dhe se, tashmë në skuadrën tonë s’ka vend për gabime. Besoj se do të arrijmë rezultate të cilat ne i kërkojmë”.
I kënaqur me pikën e fituar në Prizren
“Xehetarët” në takimin e fundit ndaj Lirisë morën një pikë në udhëtim dhe tashmë gjenden në pozitën e dytë të renditjes tabelore me 29 pikë të grumbulluara, një më pak se Hysi. Emra është shprehur i kënaqur me lojën e treguar në Prizren ndaj Lirisë. “Mendoj se takimi me Lirinë ka qenë një i mirë nga të dyja palët. Të dyja skuadrat kanë pasur raste të mira shënimi dhe se, të dyja ekipet kanë mundur të fitojnë këtë ndeshje. Megjithatë, jam i kënaqur që kemi marrë një pikë në Prizren”, ka theksuar Emra.
Trepça ka kualitet ta fitojë titullin e kampiones
Ish-sulmuesi i Lirisë, Prishtinës, Vëllaznimit dhe, tashmë, anëtar i Trepçës, Uliks Emra, beson se skuadra nga Mitrovica ka potencial ta fitojë titullin e kampiones. Ai pohon se me një ose dy përforcime në afatin e dimrit, Trepça do ta prekë titullin e kampiones. “Trepça ka kualitet ta fitojë titullin e kampiones, për faktin se ka lojtarë cilësorë. Nëse në stinorin pranveror do të mbetet ky fond i lojtarëve, por eventualisht edhe me një ose dy përforcime, jam i bindur se mund ta arrijmë objektivin e klubit: titullin e kampiones”, ka thënë Emra.
E ardhmja e Emrës
Një nga sulmuesit më të mirë në futbollin e Kosovës, Uliks Emra, ka lënë të hapur mundësinë që në afatin e dimrit të kalojë në ndonjë skuadër tjetër të elitës së futbollit tonë. “E ardhmja ime do të vendoset më të përfunduar sezonin vjeshtor. Me skuadrën e Trepçës kam kontratë gjashtëmujore. Pas përfundimit të garave të këtij sezoni do të ulem të bisedojmë me drejtuesit e Trepçës, për të vendosur për të ardhmen time. Se a do të jem pjesë e kësaj skuadre edhe në pranverë, apo do të kaloj në ndonjë skuadër tjetër, do të vendoset pas sezonit vjeshtor të garave”, ka përfunduar Emra.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3757 |