Skuadra lidere e Raiffeisen Superligës, Prishtina, ka shënuar fitore sot në shtëpi në duel me Ferizajn, me rezultat 3:1, në kuadër të javës së 21-të. Me këtë fitore bardhekaltrit e kanë rikthyer epërsinë prej 9 pikëve ndaj Hysit, sepse kjo e fundit ka dështuar në Pejë, duke pësuar humbje nga Besa, 3:2. Ferizaj kaloi në epërsi në minutën e 15-të, me golin e Shkumbin Salihut, me gjuajtje me kokë, por vetëm tre minuta më vonë mbrojtësi prishtinas Benis Krasniqi shënoi nga afërsia, duke barazuar 1:1. Epërsinë e Prishtinës e siguroi Faton Zejnullahu, në minutën e 39-të, derisa fitoren dhe rezultatin përfundimtar 3:1 e vulosi Suad Saliagiq, në minutën e 65-të. Në anën tjetër, Hysi i cili udhëtoi me optimizëm të madh në Pejë, nuk arriti të kthehet me pikë, duke ngecur sërish në garën për titull kampioni. Besa u tregua më e suksesshme në sfidën me llapjanët, duke shënuar fitore 3:2. Golat për pejanët i shënuan Hysenlekaj (18’), Duraku (68’) dhe Berisha (74’), kurse për Hysin realizuan Krasniqi (49’) dhe Zabërgja (54’). Raiffeisen Superliga Besa – Hysi 3 : 2 Liria – Trepca 3 : 1 Vëllaznimi – KEK-u 1 : 1 Trepça ‘89 – Flamurtari 3 : 1 Drenica – Ballkani 2 : 0 Prishtina – Ferizaj 3 : 1
Renditja 1.Prishtina 48 2.Hysi 39 3.Besa 33 4.Liria 33 5.Trepça 31 6.Trepça'89 31 7.KEK-u 29 8.Drenica 25 9.Vëllaznimi 23 10.Ballkani 22 11.Flamurtari 20 12.Ferizaj 14
 |