Kosove / Mentor Zhdrella "Futbollisti me i mire i Vitit 2010" | ||||
|
Manifestimi tradicional i Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët e Vitit” u mbajt sot në mbrëmje në hotelin “Grand” në Prishtinë, në praninë e mysafirëve të shumtë dhe u transmetua drejtpërdrejt në RTV 21. Fadil Vokrri, Mentor Zhdrella dhe Armand DukaTë pranishëm në këtë ceremoni ishte ish-këshilltari i presidentit të FIFA-s, Jerome Champagne, pastaj miqtë nga Federata turke e futbollit, si dhe ndihmësi i përzgjedhësit të Turqisë, Oguz Çetin, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Qenan Idrizi etj. Fillimisht kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri mbajti një fjalim rasti, me ç’rast përgëzoi të gjithë për punën e bërë gjatë vitit të kaluar, por kërkoi një përkushtim edhe më të madh në këtë vit, me shpresë se do të hapet edhe rruga drejt daljes në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë futbollisti më i mirë i vitit u shpall Mentor Zhdrella, i cili fitoi për herë të dytë radhazi këtë çmim. Ai ishte më i vlerësuari në anketën e cila u realizua me trajnerët e 12 skuadrave të Raiffeisen Superligës, duke mbledhur 94 pikë. Ai la pas vetës dy anëtarët e Prishtinës, mesfushorin Behar Maliqi, me 84 pikë dhe sulmuesin, Astrit Fazliu, me 64 pikë. “Është nder i madh ta fitosh këtë çmim për herë të dytë radhazi. Ky çmim do të jetë motiv shtesë për mua në të ardhmen. Mendoj se edhe këtë herë këtë trofe e kam fituar me meritë, falë paraqitjeve të mia të mira në të dy edicionet, por natyrisht edhe të bashkëlojtarëve”, ka theksuar Zhdrella. Tri çmime tjera të kësaj mbrëmjeje shkuan në klubin pejan, Besa. Përveç çmimit për ‘fair-play’ të cilin e mori kjo skuadër, dy çmime tjera i fituan anëtarët e kësaj skuadre, Fetim Kasapi, që u shpall golashënuesi më i mirë, me 18 gola, dhe Valmir Bytyçi si portieri më i dalluar. Klubi më i suksesshëm u shpall Trepça, kampione në fuqi, kurse Gani Sejdiu fitoi çmimin e trajnerit më të dalluar të vitit. Çmimin gjyqtari më i mirë edhe këtë vit e rrëmbeu Përparim Hasani, ndërkaq kryetari i KF “KEK”-u, Istref Klinaku u nderua me epitetin punëtori më i dalluar sportiv. Në futsall epiteti i lojtarit më të mirë i takoi Suad Keçit të Bmb Prishtina, golashënuesi më i mirë u shpall Mentor Mejzini i Feniksit, kurse klubi më i mirë Bmb Prishtina. Tek konkurrenca e femrave futbollistja më e mirë e vitit u shpall Xhemile Berisha e Kosovës (P), epiteti i klubit më të mirë i takoi Kosovës së Prishtinës, kurse shpresa e futbollit të femrave u shpall Qëndresa Krasniqi e Prishtinës. Me mirënjohje të veçanta u nderuan edhe: Raiffeisen Bank, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Sportit, Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Jerome Champagne, Astrit Maqi, Fuad Muzuroviq, Ali Çitaku, Martin Junçaj, Mustafë Belaina, Gëzim Krasniqi, Enver Musliukaj, si dhe Hotel Victory e Hotel Grand. Top 10 1.Mentor Zhdrella 94 pikë 2.Behar Maliqi 84 3.Astrit Fazliu 64 4.Fetim Kasapi 61 5.Roland Duraku 47 6.Azem Ahmeti 36 7.Elvis Osmani 31 8.Enis Zabërxha 28 9.Fisnik Papuçi 23 10.Afrim Mziu 17 Fituesit e pasluftës të çmimit “Futbollist i vitit” 1999 Muharrem Sahiti 2000 Besnik Kollari 2001 Kushtrim Munishi 2002 Selman Berisha 2003 Xhevdet Llumnica 2004 Elvis Osmani 2005 Ilir Nallbani 2006 Haxhi Zeka 2007 Isuf Llumnica 2008 Visar Berisha 2009 e 2010 Mentor Zhdrella Informacion zyrtar i FFK-se Set as favorite Bookmark Email this Hits: 5455 |