Sejdiu:Ska kurdisje | ||||
|
Prishtinë- “Ju garantoj me jetë se nuk ka kurdisje për takimin Trepça dhe Besa. Unë e di se çka është folur dhe çka po flitet, por ju betohem se Trepça nuk ka kurdisur asnjë ndeshje. Do të binden të gjithë kur ta shikojnë lojën”, kështu i është kundërpërgjigjur trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, thashethemeve për kurdisjen e takimit të xhiros së fundit në Raiffeisen Superligën e Kosovës në Futboll në mes të Trepçës dhe Besës. Të njëjtën gjë ditë më parë e kishte bërë edhe trajneri i ri i Besës, Genc Hoxha, i cili kishte deklaruar se ky takim nuk është i montuar dhe se skuadra e Trepçës duhet të djersitet mirë nëse e dëshiron fitoren. Shefi i Shtabit Teknik në KF Trepça, Gani Sejdiu, ka bërë të ditur se skuadra e Trepçës dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës janë duke u përgatitur për ta festuar titullin e kampiones, por, sipas Sejdiut, ekziston rreziku që kjo përgatitje të shkojë huq. “Ne nuk guxojmë të gabojmë, pasi puna e gjithë kampionatit është në duart tona. Të gjithë në klub dhe qytet jemi të përgatitur për festë, por ekziston rreziku që kjo festë të dështojë, pasi kjo është lojë dhe mund të ndodhë çdo gjë. Gjithashtu, edhe skuadra jonë kundërshtare, Besa, është mjaft cilësore, por e pamotivuar. Motivi te ne është më i madh dhe këtu është një përparësi e madhe. Përveç fitores, barazimit edhe goldiferenca na kryen punë që të shpallemi kampionë”, ka thënë Gani Sejdiu. Mëkat nëse gabojmë Skuadra e Trepçës në këtë kampionat ka treguar stabilitet më të madh se skuadrat e tjera dhe në të shumtën e kohës është gjendur në pozitën e parë në tabelën e klasifikimit. Tekniku mitrovicas Gani Sejdiu ka thënë se është mëkat nëse kjo skuadër gabon kur s’duhet gabuar. “90% të kampionatit kemi qenë liderë. Do të ishte vërtet mëkat nëse e humbim titullin në ndeshjen e fundit. Nëse marrim për bazë rezultatet e treguara dhe formën që kemi pasur si dhe stabilitetin në klub, mund të them se e meritojmë titullin. Mirëpo ky është futboll dhe mund të ndodhë çdo gjë”, ka shtuar ai. Titulli për Kushtrimin Skuadra e Trepçës nuk e ka harruar futbollistin e lënduar, Kushtrim Nebiu. Ata përveç asaj se e kanë përkrahur gjatë gjithë kohës, kanë menduar se, nëse do t’ia arrijnë të shpallen kampionë, titullin t’ia dedikojnë Kushtrimit. “Ne të gjithë jemi me Kushtrimin. Titulli sigurisht se do t’i dedikohet atij. Të gjithë jemi munduar ta përkrahim maksimalisht. Nëse ne do të shpallemi kampionë, ai do ta marrë edhe medaljen”, ka bërë të ditur Sejdiu.
Lokalet do të mbyllen në kohën e takimit Pronarët e lokaleve në qytetin e Mitrovicës kanë marrë vendim që në kohën që do të zhvillohet takimi Trepça dhe Besa të gjitha lokalet të mbyllen. I gjithë qyteti do t’i marrë rrugët që e dërgojnë në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” për të përkrahur skuadron e tyre të zëmrës në rrugën drejt titullit kampione. Kushtrimi operohet sot Futbollisti i Trepçës, Kushtrim Nebiu, që është lënduar në takimin Liria - Trepça, aktualisht gjendet në Turqi. Ai sot (e enjte) do t’i nënshtrohet një operacioni. Veton Zymberi Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2438 |