Sulmuesi i Drenicës, Premton Muja, i kënaqur me rezultatet e skuadrës së tij | ||||
|
S’është pak të jesh në mesin e ekipeve më të mira Prishtinë- Kreatori i fitores së Drenicës ndaj Lirisë, Premton Muja, ka thënë se është i kënaqur me fitoren e arritur në Prizren. Drenica të dielën që e lamë pas me golin e sulmuesit Premton Muja e ka mundur në udhëtim Lirinë prej 1:0, duke e forcuar edhe më shumë mesin e artë të tabelës. Muja, i cili ka shënuar 12 gola në këtë sezon, ndihet i kënaqur me rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës së vet. “Jam i lumtur me fitoren që arritëm në Prizren ndaj Lirisë. Kemi hyrë në formë të mirë”, ka thënë Muja, duke shtuar ndërkohë se: “Kam shënuar 12 gola. Jam i kënaqur për pozitën në të cilën ndodhet skuadra ime. Edhe në ndeshjen e radhës që luajmë ndaj Hysit do të kërkojmë fitore, në mënyrë që ta sigurojmë vendin e pestë në renditjen tabelore, që do të ishte sukses për Drenicën. Të jesh në mesin e skuadrave më të mira nuk është pak”, ka thënë sulmuesi i Drenicës, Premton Muja. E ardhmja Sulmuesit gjilanas Premton Mujës kontrata me skuadrën drenicase i skadon me të përfunduar sezoni. Ai thotë se ende nuk ka vendos për të ardhmen. “Kontrata me Drenicën më përfundon në javën e ardhshme, kur edhe përmbyllet ky sezon. Fillimisht do të ulem të bisedoj me drejtuesit e Drenicës, më pas ta shohim se si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë Muja. Falënderon “Shqiponjat e Zeza” Njëri nga futbollistët kryesorë në skuadrën e “kuqezinjve” të Drenicës, Premton Muja, i ka falënderuar tifozët e Drenicës për përkrahjen që i kanë dhënë në çdo ndeshje. “Gjatë gjithë kohës ‘Shqiponjat e Zeza’ më kanë mbështetur fuqishëm. Në çdo ndeshje kam pasur përkrahjen e tyre dhe i falënderoj nga zemra”, ka theksuar Muja. I dhimbet Gjilani Ish-sulmuesi i Gjilanit, Premton Muja, i njohur me nofkën “Arusha”, ka thënë se i dhembet ish-skuadra e tij, Gjilani, që po bie nga elita e futbollit të Kosovës. “Vërtet me dhimbet Gjilani që po bie nga Superliga, por kështu e ka futbolli. Shpresoj se kjo skuadër shumë shpejt do të këndellet dhe do të rikthehet në elitë, aty ku e meriton ta ketë vendin”, ka thënë sulmuesi Muja.
Fatmir Bytyci Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3379 |