Afrim Muqiqi : Prishtina mund të tërhiqet nga garat | ||||
|
Nga Albaniasoccer
Nënkryetari i Klubit të Prishtinës, Afrim Muqiqi, të hënën në një konferencë për medie ka akuzuar drejtuesit e skuadrës së Vëllaznimit për mikpritjen jo të mirë që i kanë bërë skuadrës kampione gjatë takimit që është zhvilluar të dielën në mes të Vëllaznimit dhe Prishtinës. “Kulmi i turpit është arritur në Gjakovë. Mikpritja ka qenë shumë e keqe. Tmerri më i madh ka qenë ndarja e drejtësisë. Ne jemi dëmtuar në mënyrën më të rëndë, pasi është gjykuar një penallti e paqenë dhe është pranuar një gol i paekzistuar. Gjyqtarët ndikuan drejtpërdrejt në rezultat”, ka thënë Muqiqi, duke vazhduar akuzën e tij ndaj gjyqtarëve të takimit. “Gjyqtari që ka gjykuar në Gjakovë, për mendimin tim, është çoban, asgjë tjetër. Nuk lejojmë më të luajë dikush me pasurinë dhe djersën tonë”, ka shtuar ai.
Prishtina mund të tërhiqet nga garat Nënkryetari i skuadrës kampione ka paralajmëruar se, nëse vazhdohet me këso lloj padrejtësish, skuadra e Prishtinës do të tërhiqet nga kampionati. “Ajo çka ndodhi në Gjakovë është krim i organizuar në futbollin e Kosovës. Gjëra të tilla nuk ndodhin në Prishtinë, Hys dhe Trepçë, por ndodhin në Gjakovë. Nëse vazhdohet kështu, e kemi obligim t’i informojmë institucionet më të larta vendore, si dhe do të shkojmë deri në institucionet e larta të futbollit evropian, që të njoftojmë se Prishtina tërhiqet nga garat. E them me plot përgjegjësi se, sikur të bie edhe Prishtina prej ligës, nuk është tragjedi, por edhe Vëllaznimi nuk është tragjedi. Dikush duhet të bjerë nga liga”, ka shtuar Muqiqi.
Krasniqi: Është anormale të hedhet një gur i madh ose thikë Edhe trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, është ndarë i zhgënjyer me atë që skuadra e tij ka përjetuar në Gjakovë. “Fyerjet dhe sharjet janë normale. Është anormale të hedhet një gur i madh ose thikë. Mjeku ynë ka pasur fat kur i është hedhur një petardë, e cila për fat të tij e ka qëlluar në hundë”, ka treguar Krasniqi.
Maliqi: Ka qenë tmerr i vërtetë Kapiteni i skuadrës së Prishtinës, Behar Maliqi, ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, se ka provokuar shikuesit. “Gjoja se unë kam provokuar shikuesit dhe kjo ka bërë që ata të më sulmojnë brenda fushës. Unë e di se futbollisti është i paprekshëm brenda fushës, por kjo nuk ndodhi në Gjakovë. Para se të hyjmë në teshatore jam sulmuar nga një person dhe më ka goditur nga pas”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se, më pas ka intervenuar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. “Njësia Speciale e Policisë me dhunë na kanë futur në teshatore. Ka qenë një tmerr i vërtetë. Nëse vazhdon kështu, do të mendoj se a do të luaj apo jo futboll, sepse nuk ka siguri”, ka përfunduar Maliqi. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3250 |