Prishtina e gatshme për pjesën e dytë të kampionatit | ||||
|
I pari i bankinës së FC Prishtina, Ramiz Krasniqi, ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për pjesën e dytë të garave që nis në fundjavë. Kampionët në fuqi tri ditë më parë janë kthyer nga stërvitjet që zhvilluan në Ulqin. Trajneri Krasniqi është shprehur i kënaqur me punën që është bërë në Ulqin. Ai ka thënë se kushtet që ofron Ulqini kanë qenë mjaft të mira dhe se, gjithçka ka shkuar ashtu siç është paraparë nga ana e Shtabit Teknik. “Jam i kënaqur me punën që kemi bërë në Ulqin, vend ky që ofron kushte mjaft të mira për stërvitje. Kemi punuar intensivisht dhe se, gjithçka është realizuar ashtu siç është paraparë nga ana e Shtabit Teknik”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se “forma e lojtarëve është e mirë. Kemi treguar paraqitje të mira në takimet kontrolluese që kemi zhvilluar. Prishtina është e gatshme për sfidat pranverore”.
Prishtina s’e meriton vendin në të cilën ndodhet
Sipas Krasniqit, Prishtina nuk e meriton pozitën në të cilën ndodhet në renditjen tabelore. Ai pohon se ato rezultate duhet t’i takojnë së kaluarës dhe se, në stinorin pranveror kjo skuadër kërkon të futet në mesin e ekipeve që synojnë titullin e kampionit. “Për shkaqe të ndryshme rezultatet e Prishtinës në sezonin vjeshtor nuk kanë qenë të kënaqshme. Ne gjithnjë kërkojmë pjesën e epërme të tabelës dhe jam i bindur se në stinorin pranveror ne do të jemi aty ku e kemi vendin. Pra, kërkojmë të jemi në garën për titull të kampionit”, ka theksuar Krasniqi, i cili beson se Prishtina ka ekip që mund të jetë në kreun e tabelës. “Ne kemi skuadër të re, por këta futbollistë të rinj duhet të sfidohen në ndeshjet e forta. Jam i bindur se mund t’i prekim synimet tona”, ka përfunduar timonieri i “bardhekaltërve”, Ramiz Krasniqi.
Fatmir Bytyci Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2707 |