Ne fokus/ Blater përkrah sërish Kosovën |
nga AlbaniaSoccer E martë, 16 Tetor 2012 15:30 |  |  |  | |
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter vazhdon të shprehë të gjithë mbështetjen e tij për Kosovën. Futbolli në këtë vend vazhdon të presë hapjen e një dritare për ndërkombëtarizimin, ndërsa kërkesat e tyre shtyhen vazhdimisht.
Kështu ka ndodhur me kërkesën për lejimin e Kombëtares dhe klubeve kosovare që të zhvillojnë miqësore me skuadra të tjera anëtare të FIFA-s. Blatter ishte i pari që e mbështeti daljen e futbollist në Kosovë nga izolimi, megjithatë vendimi u shty për në dhjetor.
Tashmë, kreu i federatës botërore është shprehur sërish në mbështetje të Kosovës, këtë herë në një intervistë në televizionin zviceran, RTS ku ishte i ftuar. “Çështja e përfaqësueses së Kosovës më ka prekur shumë. Aktualisht ky vend nuk është anëtar i FIFA-s, pasi më parë nevojitet njohja nga Kombet e Bashkuara, por besoj se te kjo çështje duhet shfaqur më shumë zemërgjerësi”, ka thënë Blatter.
Me propozim të Blatter, në mbledhjen e Ekzekutivit të FIFA-s më 22 maj Kosovës iu dha dita jeshile që të luajë miqësore ndërkombëtare. Por, pas reagimit të Serbisë dhe UEFA-s, vendimi u “ngri” derisa të plotësohen disa modalitete që do të kënaqnin të gjitha palët.
Gjithçka pritej të zbardhej në fund të shtatorit, por vendimi për heqjen e barrierave futbollistike me Kosovën u shty për në datën 14 dhjetor, në mbledhjen e Ekzekutivit në Tokyo.
Ndërkohë, për këtë datë Blatter foli edhe gjatë një takimi me mediat në Gjenevë, mbi perspektivën dhe sfidat e futbollit sot botë, me moton “Futbolli për të gjihtë, giithë për futbollin”.
“Nuk kemi ndërmend ta shtyjmë sërish vendimin e Kosovës”, tha aty presidenti i FIFA-s. “Ju falënderoj për durimin dhe mirupafshim në Tokio me të reja për futbollin kosovar”.
 |