Të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, përfshirë presidentin Sep Blater, kanë marrë dje në duart e tyre një deklaratë të përbashkët të firmosur nga yjet e futbollit kosovar të cilët kërkojnë nëpërmjet saj të drejtën e Kosovës për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare futbolli. Sipas asaj që ka konfirmuar për mediat kosovare Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, në këtë shkresë gjenden firmat e emrave më të njohur, duke filluar nga tre kosovarët që luajnë për Zvicrën: Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Granit Xhaka.
Ajo është firmosur edhe nga lojtarët kosovarë që luajnë me fanellën e përfaqësues shqiptare të futbollit, ku aktualisht janë 8 të tillë që në ndeshjet e fundit janë veshur kuqezi: Lorik Cana, Armend Dallku, Mërgim Mavraj, Samir Ujkani, Alban Meha, Burim Kukeli, Etrit Berisha dhe Ahmed Januzi.
Firmën e saj në këtë deklaratë e ka hedhur edhe futbollistja e famshme kosovare që luan për Gjermaninë, Fatmire Bajramaj.
Që nga muaji maj, FIFA ka vendosur që përfaqësuesja kosovare e futbollit mund të luajë ndeshje ndërkombëtare por për momentin, ky vendim është i ngrirë pasi janë ende të papërcaktuar modalitetet e këtij vendimi. Debati ka lindur për arsye se ky vendim i KE të FIFA-s ka ndeshur në refuzimin e UEFA-s, e cila nuk është gati të pranojë që Kosova të luajë në arenën ndërkombëtare.
Nëse Kosova do të fillojë të luajë ndeshje ndërkombëtare me përfaqësuesen e saj të futbollit, ku cilësohet si hapi i parë konkret për anëtarësimin me të drejta të plota të FIFA dhe UEFA, ndonëse do të duhet shumë kohë për realizimin e një objektivi të tillë.
|