Kosova/ Mishel Platini, kunder FIFA-s |
nga AlbaniaSoccer E mërkurë, 23 Maj 2012 22:15 | | | | |
Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për lejimin e Federatës Kosovare të Futbollit (FFK), që të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses kosovare, por edhe të klubeve, përveçse ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në Serbi, ka ngjallur reagime të ashpra dhe te UEFA.
Federata Europiane i ka injoruar vazhdimisht përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj dhe e FIFA-s, duke hedhur sistematikisht poshtë kërkesat për ndërkombëtarizimin e futbollit në këtë vend.
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini ka deklaruar se vendimi i FIFA-s, i mbështetur nga Sep Blater, që ta lejojë Kosovën të zhvilloj ndeshje miqësore, bie ndesh me Statutin e Organizatës që ai drejton. Për këtë arsye, francezi, i cili njihet si një mik i Serbisë, ka thënë se vendimi i FIFA-s ishte i ngutshëm dhe i padrejtë, e mbi të gjitha i ndikuar nga politika. “Kjo është thjeshtë një çështje politike dhe vendimi është në kundërshtim me Statutin e UEFA-s”, ka deklaruar Platini.
Por, këtë pretendim të Platinisë e ka hedhur menjëherë poshtë sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke. “Ne vetëm kemi pranuar një kërkesë të një vendi ku luhet futboll. Asgjë më shumë e as më pak”, deklaroi numri 2 i FIFA-s.
|