Përfaqësuesja e Kosovës, më 27 mars, do të luajë miqësore me gjigantin turk, Bursaspor, kampion në fuqi i Turqisë. Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë, në orën 15:00. Konfirmimin e kësaj miqësoreje e kanë bërë sot në një konferencë për media drejtuesit e FFK-së dhe ata të klubit turk. “Kjo ndeshje do të jetë mjaft e rëndësishme për ne në rrugën drejt ndërkombëtarizimit. Jemi të bindur se më 27 mars do të shndërrohet një spektakël i vërtet i futbollit, pasi edhe hyrja për të gjithë tifozët do të jetë falas. Meqenëse Ministria e Sportit do të ndajë një fond të posaqëm për këtë ndeshje, përzgjedhësi Albert Bunjaki për këtë ndeshje do t’i ftojë futbollistët më të mirë që ka Kosova kudo që luajnë”, deklaroi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri. Nënkryetari i klubit të Bursasporit, Mustafa Jedikardesh, me origjinë shqiptare u shpreh i lumtur që klubi i tij do të paraqitet para futbolldashësve kosovarë. “Për ne do të jetë kënaqësi që të luajmë me Përfaqësuesen e Kosovës. Në këtë ndeshje do të paraqitemi me ekipin më të mirë”, tha Jedikardesh. Ndërkaq ministri, Memli Krasniqi, ardhjen e Bursasporit e ka quajtur si një lajm të mirë për futbolldashësit, por edhe si hap përpara për FFK-në në rrugën e ndërkombëtarizimit.
|