Kosove / Uliks Emra perseri evitohet nga lista! | ||||
|
Sulmuesi Uliks Emra prej ardhjes së Albert Bunjakut në krye të përfaqësueses së Kosovës në Futboll asnjëherë nuk ka pasur rastin të marrë ndonjë ftesë. Sipas sulmuesit prizrenas, një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë edhe për ndeshjen miqësore të 17 shkurtit, ku të përzgjedhurit e Albert Bunjakut do të përballen me djelmoshat e Josip Kuzhes për nder të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Ende nuk kam marr ndonjë ftesë nga përzgjedhësi për ndeshjen e 17 shkurtit. Përveç kësaj, nuk kam qenë asnjëherë i ftuar gjatë grumbullimeve që janë bërë nga përzgjedhësi. Kjo rezulton se nuk jam as në mesin e 60 futbollistëve më të mirë në Kosovë”, ka thënë Uliks Emra. I pyetur se a e ndjen veten të zhgënjyer pas këtyre anashkalimeve, Emra ka thënë: “Normalisht se zhgënjimi ekziston, pasi për dhjetë vjet kam qenë ndër futbollistët më të rregullt në përfaqësuese. Unë nuk dua të flas shumë rreth kësaj teme, pasi është një vendim i përzgjedhësit dhe e respektoj çdo vendim të tij”. Uliks Emra aktualisht është pjesë e skuadrës së Lirisë nga Prizreni. Ai më herët ishte pjesë e Prishtinës, Vëllaznimit dhe Trepçës. Kontaktoi me përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, ka qenë i pamundur, por kontakti ka qenë i mundur me ndihmëstrajneri përfaqësueses, Genc Hoxhën, por ky i fundit nuk ka dashur të flasë rreth rastit të Uliks Emrës. “Nuk jam kompetent të flas për këtë temë. Jam trajner në përfaqësuese dhe e bëj punën time”, ka thënë Genc Hoxha. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4410 |