Raiffeisen Superliga/ Prishtina festoi titullin e kampionit, Llamkos Kosova në barazh | ||||
|
Skuadra e Prishtinës e ka festuar titullin e dytë radhazi në Raiffeisen Superligë. Në ndeshjen e fundit të këtij kampionati, bardhekaltrit kanë shënuar fitore në duel me Trepçën’89, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Argjend Malaj (16’) dhe Florim Bërbatovci (63’). Në fillim të ndeshjes ka qenë një numër i konsiderueshëm i tifozëve, të cilët krijuan një atmosferë të bukur në tribuna, por rrebeshi i shiu sikur e prishi festën e prishtinasve, ngase në fund në ceremoninë festive të titullit numri i tifozëve ishte simbolik. Medaljet për skuadrën prishtinase dhe çekun në vlerë 20 mijë euro e ndau kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, derisa trofeun e kampionit kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqi ia dorëzoi ministri i sportit, Memli Krasniqi. Kapiteni i bardhekaltërve është shprehur i lumtur që fitoi titullin e dytë radhazi me Prishtinën. “Gjatë gjithë kampionatit kemi punuar intensivisht dhe pa dyshim është kënaqësi kur mundi shpërblehet. Sot do ta festojmë titullin, por qysh nesër duhet të nisim të mendojmë për finalen e kupës kundër Ferizaj, ngase aty duam të triumfojmë”, ka theksuar Driton Krasniqi. Ndërkohë, krahas kampionit dhe dy skuadrave që janë larguar nga elita (Vëllaznimi e Liria) është vendosur përfundimisht edhe skuadra që do të luajë në barazh. Do të jetë pikërisht Llamkos Kosova, që mbetjen në elitë do ta kërkojë në sfidën përcaktuese me skuadrën e renditur në pozitën e tretë të Ligës së Parë, Deçanin. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 7306 |