Itali/ Tifozët e Lazios, fyerje raciste në drejtim të Valon Behrami | ||||
|
Tifozët e skuadrës italiane, Lazio, kanë bërë fyerje raciste në drejtim të mesfushorit kosovar të Napolit, Valon Behrami, duke u tallur me kombësinë e tij, njofton të dielën “canalenapoli.it”. Fyerjet u bënë të shtunën mbrëma, gjatë ndeshjes së zhvilluar në Romë, ndërmjet ish-skuadrës së Behramit, Lazio dhe skuadrës së tanishme, Napoli (1:1). Behrami, 27-vjeçar, në edicionin 2008/2009 ishte pjesë e skuadrës romane, Lazio, nga ku u largua drejt West Hamit. “Injorancë ka kudo, veçanërisht në stadiumet italiane. Askush nuk e ka kuptuar ende se futbolli është vetëm një sport dhe respekti për kundërshtarin duhet të jetë në maksimum. Edhe të shtunën, sipas një raporti të ‘Tuttosport’ në stadiumin ‘Olimpico’ ndodhi një injorancë në stadium. Tifozët e Lazios kanë bërë fyerje raciste ndaj ish-lojtarit të Lazios, Behrami”, përcjell të dielën “canalenapoli.it”. Tifozët e Lazios njihen si më racistët në Itali. Reprezentuesi i Përfaqësueses së Zvicrës, Valon Behrami, në këtë ndeshje luajti vetëm deri në minutën e 45-të. Pak sekonda pa përfunduar kjo pjesëlojë, Behrami u detyrua ta lërë fushën e gjelbër për shkak të një lëndimi që pësoi në nyjën e këmbës së djathtë. Mediat italiane raportojnë se në bazë të kontrollimeve të para që i janë bërë kosovarit, nuk bëhet fjalë për një lëndim serioz. Napolit pritet t’i mungojë vetëm në ndeshjen ndaj Viktoria Plzen që zhvillohet të enjten në kuadër të Evropa Ligë. Mesfushori nga Mitrovica këtë edicion në Serie A ka zhvilluar 21 ndeshje. Ai vlerësohet lart për paraqitjet e tij. Me Napolin ka kontratë deri në qershorin e vitit 2017. Në këtë ndeshje për Lazion nga minuta e 72-të luajti mesfushori Lorik Cana, që pak minuta më vonë u “zverdh”. Cana u lavdërua për aq sa luajti. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2542 |