Gjermani/ Altin Lala, “Lamtumira më e madhe e të gjitha kohëve” për Hanoverin! | ||||
|
Nuk është Bajerni, nuk është Dortmundi, por sërish është një krenari e madhe. Altin Lala mbyll të shtunën një epokë të jetës së tij sportive dhe klubi gjerman i Hanoverit gjithashtu mbyll epokën më të bukur të tij. Ish-kapiteni, shqiptar, Altin Lala do të përcillet këtë të shtunë nga tifozët dhe shokët e skuadrës, do të thotë “lamtumirë” pas 14-vitesh të jetuara me pasionin më të madh, 14-vite të cilave ai u ka shijuar çdo sekondë, edhe kur ka qenë kohë për të vuajtur. Gazeta më e madhe e Gjermanisë, “Bild” nuk ka dyshime dhe e quan ikjen e Lalës “lamtumira më e madhe e të gjitha kohëve” për Hanoverin. Ish-kapiteni do të mbajë për herë të fundit fanelën me numrin 8, ndërsa në arenën e Hanoverit mik do të jetë Kaizerslautern. Mesfushori 36-vjeçar debutoi me fanelën e kuqe më 30-korrik 1998 në fitoren 2-1 ndaj Karlsruhes, në një ndeshje ku pati në krah një kampion të botës, pikërisht Guid Buhvaldin. Presidenti i Hanoverit, Martin Kind, thotë për të: “Altini ka fituar në jetë çdo gjë të kësaj bote, ai është një pasuri e vërtetë për Hanoverin si lojtar dhe si njeri dhe unë jam i bindur se ai do të vazhdojë të ketë sukses në jetë”. Pas Hanoverit, Lala do të shkojë për një vit të paktën tek Bajerni i Mynihut, ku do të ketë rol në fushë, por besohet edhe në staf tek skuadra e amatorëve, aty ku farkëtohen talentet bavarezë të së ardhmes. Ish-emigranti shqiptar, që shkoi vetëm dhe në mënyrë ilegale në Gjermaninë e madhe dhe të huaj, mund të jetë krenar. Ai ka përshkruar një rrugë të gjatë, ka pasur sukses dhe është bërë shembull që mund të ndihmojë çdo bashkëkombas të tij. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2169 |