Ne fokus/ Mjeku i Kukesit Pertef Rusi goditet e bie pa ndjenja | ||||
|
Ngjarjet e dhunës pa sojnë njëra-tjetrën në futbollin shqiptar. E djeshmja ka qenë unike, teksa është sulmuar mjeku i një ekipi, dhe i biri, njëkohësisht mjek, është detyruar të shpëtojë babain e tij. Kanë qenë minutat e fundit të ndeshjes në Laç mes Laçit dhe Kukësit, kur futbollisti Hoxha i Kukësit është dëmtuar dhe dy mjekët e Kukësit, Pertef dhe Perli Rusi, babë e bir, kanë hyrë në fushë si zakonisht për të dhënë ndihmën mjekësore. Pas ndihmës mjekësore, Hoxha, sipas rregullores, duhej të dilte jashtë fushës dhe ndërkohë ishte kërkuar edhe barela. Por në atë moment që Hoxha po zhvendosej për të dalë jashtë, mjeku Pertef Rusi u ka thënë dy personave që mbanin barelën që nuk ka nevojë, pasi ka mundësi t'ia dalë vetë. Në atë moment, njëri nga dy personat e barelës e ka goditur Pertef Rusin, duke e lënë pa ndjenja. Janë dashur disa minuta për të sjellë në vete mjekun dhe këtë e ka bërë djali i tij, Perli, i cili njëkohësisht është edhe mjeku i ekipit kombëtar U-19. Ngjarjen e tregon vetë Perli Rusi, i cili ka qenë jo pak i tronditur: "Kam disa vite që e ushtroj këtë profesion dhe nuk më kishte ndodhur një situatë e tillë. Kisha dhënë ndihmën mjekësore për të tjerët, por që të jepja ndihmë për babain tim në fushë, nuk më kishte shkuar ndërmend". Perli pohon gjithashtu se pothuaj gjatë gjithë ndeshjes janë hedhur sende të forta në fushë, madje vinin edhe nga tribuna. "Të vjen keq që ngjarje të tilla përsëriten. Në fakt, në Laç nuk është hera e parë që ndodh. Fatmirësisht, babai im ia hodhi paq, falë Zotit edhe pa pasoja, sepse menjëherë vajta në Spitalin Ushtarak dhe bëra një skaner, ku specialistët mjekë më thanë që vetëm i duhet të pushojë. Kur cenohet edhe profesioni i mjekut të futbollit, imagjinoni ju se çfarë ndodh në tribuna apo në korridoret e stadiumet", - mbyll rrëfimin e tij, mjeku Perli Rusi. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4212 |